Devoll, shkolla 9-vjeçare pa tualete funksionale

26/11/2014 00:00

Për 100 fëmijë të shkollës 9-vjeçare, në fshatin Cangonj të rrethit të Devollit, rikonstruksioni i shkollës, që mendohej se do t’u krijonte atyre kushtet normale të mësimit, duket se është duke u bërë pengesë.

Projekti, i vënë në zbatim pak vite më parë, i dha një tjetër pamje ndërtesës dykatëshe, por për fëmijët e grupmoshës 6-15 vjeç asgjë nuk është normale. Projekti duket se e ka përcaktuar qartë ambientin, që do të përdorej për tualetet e shkollës, por nuk ka parashikuar që ato duhej të ishin funksionale.

Mungesa e kanalizimeve ka bërë që këto tualete të jenë të bllokuara dhe jashtë çdo kushti higjeno-sanitar, ndaj fëmijët detyrohen të vrapojnë gjatë orëve të mësimit tek ambientet e kopshtit, apo edhe nëpër shtëpitë aty rrotull, për të kryer nevojat e tyre personale.

Shqetësimi është ngritur edhe nga drejtoresha, e cila ka dërguar shkresat e nevojshme Komunës dhe Drejtorisë së Shëndetit Publik, por ende nuk është gjetur asnjë zgjidhje për këtë problem.

Për vogëlushët, të cilët çdo ditë përballen me këtë situatë, e vetmja kërkesë është ajo më njerëzorja, që të kenë mundësinë për të qëndruar në një ambient të pastër, pa rrezikuar shëndetin e tyre.

Prej kohësh, ky shqetësim është përcjellë pranë autoriteteve përkatëse, por ende nuk po gjendet asnjë zgjidhje për këta vogëlushë.

Top Channel