Tronditen vendet prodhuese të naftës

26/11/2014 00:00

Vendet e Gjirit Persik kanë investuar pafund në infrastrukturë këto vitet e fundit. Por, ditët e shpenzimeve të mëdha mund të jenë të numëruara.

90% e buxhetit dhe 50% e PBB-së (GDP) së këtyre shteteve, nga sa pohojnë vetë autoritetet lokale, mbështetet te nafta, çka në situatën aktuale mund të konsiderohet sa e rrezikshme, aq edhe e frikshme.

Që prej qershorit, çmimi i arit të zi në tregje ka humbur gati 30% të vlerës. Nëse tkurrja e tij do të vazhdojë me këto ritme, atëherë qeveritë e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore do të detyrohen t’i shkurtojnë subvencionet e tyre aq bujare.

Vitet e fundit, shpenzimet në vendet e Gjirit kanë qenë pa frè, e vetëm për 2014-n, projektet e infrastrukturës kapin shifrën e 86 miliardë dollarëve, një përpjekje kjo që, sipas disa zërave, synon frenimin e pakënaqësive politike.

Kuotimi i lartë i naftës i ka ndihmuar qeveritë e Gjirit Persik t’i mbajnë larg trazirat masive, si ato të “Pranverës arabe”, që rrëzuan regjimet në Tunizi e Egjipt. Për të mos i lënë qytetarët e tyre të ankohen, familjet mbretërore përdorën burimet e bollshme të energjisë, për të vënë në jetë projekte të ndërtimit të shkollave, spitaleve, banesave apo rrugëve.

Shpenzimet marramendëse nuk kanë qenë problem për shtetet naftëprodhuese të Lindjes së Mesme, megjithatë, shumë shpejt kjo mund të ndryshojë. Një fuçi nafte, që në korrik shitej për 100 dollarë, sot kuotohet 80, e disa ekspertë mendojnë se trendi i uljes së çmimit mund të vazhdojë.

Nga përllogaritjet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Arabia Saudite shpenzoi vitin e kaluar 265 milionë dollarë. Nëse nuk i ndryshon politikat fiskale, atëherë vitin e ardhshëm ajo do ta gjejë veten në rrugën e një defiçiti buxhetor prej 1,4% të Prodhimit të Përgjithshëm të ekonomisë, me gjithë pasurinë e madhe që ka.

Top Channel