Itali, shkatërrohet rrjeti i falsifikimit të parave

26/11/2014 00:00

Forcat e karabinierëve në Itali kanë shkatërruar një rrjet të fuqishëm të falsifikimit të parave, me bazë në qytetet Napoli dhe Kazerta.

Sipas raportimeve të mediave lokale, në pranga kanë përfunduar 56 persona, të akuzuar për krijim organizate kriminale me qëllim falsifikimin e parave dhe futjen e tyre në tregjet ndërkombëtare.

Sipas burimeve, grupi i falsifikuesve, i njohur në të gjithë Evropën, ishte pjesë e të ashtuquajturit “Napoli Group”, ku përfshihen organizata të ndryshme lokale.

Sipas hetuesve, grupi është përgjegjës për përhapjen e 90 për qind të eurove falso në mbarë botën dhe ishte kthyer në një shqetësim konkret për Bankën Qendrore Evropiane, pasi kishte futur në tregun gjerman një kartmonedhë 300-euroshe.

Sipas burimeve, “Napoli Group” përbëhej nga 11 nëngrupe, secila prej të cilave ishte e specializuar në detyra specifike, nga grumbullimi i parave, transporti dhe më pas futja e tyre në treg.

Gjatë operacionit, që ishte finalizimi i hetimeve 2-vjeçare, u gjetën dhe u bllokuan disa laboratorë printimesh, njëra prej të cilave në afërsi të Romës.

Nga hetimet nuk kanë rezultuar lidhje mes grupit të falsifikimeve dhe klaneve kamorriste, edhe pse fillimisht kjo ishte një hipotezë e qëndrueshme.

Hetimet dhe aksioni u realizuan nga Njësia Kundër Falsifikimeve, por ekspertët mendojnë se kompetencën për t’u marrë me çështje të tilla duhet ta ketë Drejtoria Rajonale e Antimafias.

Top Channel