Mjeshtri i jazz-it, në Tiranë

26/11/2014 00:00

Saksofonist, producent, kompozitor, por edhe i apasionuar pas muzikës jazz dhe i impenjuar prej vitesh në përhapjen e kësaj gjinie, Fulvio Albano, themelues dhe president i “Jazz Club Torino”.

Pas organizmit të një sërë eventesh në Itali, mes tyre Festivalit të Jazz-it të Torinos, por edhe pjesëmarrjes në një sërë të tillësh në botë, ai ka ardhur në Shqipëri me dëshirën për të promovuar këtë gjini muzikore edhe në vendin tonë, si edhe për të krijuar një urë bashkëpunimi. Ai zhvilloi një “workshop” mbi muzikën jazz në Universitetin e Arteve me studentë dhe pedagogë.

“Shpresoj të ndërtoj raporte bashkëpunimi me Shqipërinë. Jam impenjuar shumë në promovimin e muzikës jazz, por promovimi vetëm në territorin italian nuk mjafton sepse jazz-i është mjet komunikimi ndërkombëtar, ndaj jam këtu në Shqipëri për të kuptuar nëse është e mundur të bashkëpunoj dhe të zhvilloj shkëmbime të ndryshme, si aktivitete këtu, por edhe ftesa për artistë shqiptarë që të vijnë në Itali për të krijuar kështu një fluks shkëmbimesh”, deklaroi Albano.

Me një eksperiencë të pasur edhe si instrumentist, ai ka qenë pjesë edhe e orkestrës së RAI-t, si dhe ka bashkëpunuar me emra të njohur të jazz-it në botë, mes të tjerësh Johny Griffin, Tony Scott, Joe Henderson dhe Paolo Conte.

“Jazz-i është një muzikë ndërkombëtare, një gjuhë e jashtëzakonshme. Ka lindur në fund të 1800-s, fillim të 1900-s. Pati fatin të lulëzojë në SHBA, por është fryt i gjuhëve muzikore të të gjithë botës, nga muzika klasike europiane tek ritmet afrikane, pra kjo është një gjuhë që mund të bashkojë popujt. Rëndësia e jazz-it është fakti se mund të jetë një mjet komunikimi i cili mund të vëllazëroje dhe bashkojë popujt”, shprehet muzikanti.

Top Channel