NATO: Shumë të shqetësuar për praninë ruse

26/11/2014 00:00

Komandanti i forcate të NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan me 4 yje Philip Breedlove, ndodhet këtë të mërkurë në Kiev për një takim me presidentin ukrainas Petro Poroshenko dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë pro-perëndimore.

Në fjalën e tij Breedlove është shprehur shumë i shqetësuar për rritjen e pranisë së trupave ruse në Krime.

“Forcat e armatosura që kanë aneksuar ilegalisht tek Rusia këtë pjesë të territorit ukrainas mund të nisin prej andej operacione ushtarake”, ka thënë Breedlove.

Zyrtari i lartë ushtarak amerikan ka shprehur gjithashtu shqetësimin mbi mundësinë e vendosjes në Krime të armëve bërthamore nga ana e Moskës.

Autoritetet ukrainase dhe NATO akuzojnë Rusinë se mbështet ushtarakisht separatistët në jug-lindje të Ukrainës dhe Kievi nuk e përjashton anëtarësimin e mundshëm në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Një lëvizje kjo që kundërshtohet ashpër nga Kremlini, i cili zgjerimin e NATO-s me vendet e ish-Bashkimit Sovietik e konsideron një provokim.

Top Channel