Priten reshje të dendura, Specialistët: Nuk ka rrezik për përmbytje

26/11/2014 00:00

Meteorologët parashikojnë mot të paqëndrueshëm por të përmirësuar
krahasuar me reshjet e një jave më parë që përmbytën Shkodrën, Lezhën,
Fierin apo Tiranën, duke shkaktuar tre viktima në qytetin e Laçit.

Dita e enjte dhe e premte do të ketë reshje të pakta, të cilat do të ndërpriten në fundjavë për t’u kthyer me intensitet më të lartë ditën e hënë.

“E hëna do të shënojë reshje rreth 50 apo 60 mililimetra. Nëntori u konsiderua një muaj i thatë, por realisht pati reshje që arritën deri në 100 milimetra”, thotë Rezarta Xhakollari, nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.

Meteorologët thonë se në përmirësim do të jenë edhe temperaturat që do të pësojnë një rritje mesatarisht me 5 deri në 6 gradë celcius.

Referuar këtyre të dhënave, nuk pritet të ketë rritje të kërkesës për konsum të energjisë elektrike duke qenë se sipas meteorologëve, muaji që po kalojmë nuk cilësohet si i ftohtë për stinën e dimrit.

Sipas Korporatës Elektro-Energjetike Shqiptare, gjendja në kaskadën e Drinit është e mirë dhe janë marrë të gjitha masat për të garantuar furnizimin me energji për qytetarët.   

Top Channel