Presidenti i ri i Rumanisë, Klaus Iohannis, parashikon se shumë deputetë do të nisin braktisjen e koalicionit qeverisës të kryeministrit Victor Ponta, gjatë javëve të ardhshme, mjaftueshëm për ta rrëzuar qeverinë vitin e ardhshëm.

Iohannis, 55-vjeçari me prejardhje gjermane nga Transilvania, i cili bëri fushatë me një platformë antikorrupsioni, mposhti 42-vjeçarin Ponta në një fitore shokuese të zgjedhjeve presidenciale më herët gjatë këtij muaji.

Në një intervistë për “Reuters”, Iohannis parashikoi se vota presidenciale do të ndikojë në mazhorancën prej 65% të kontrolluar prej socialdemokratëve të Pontas dhe aleatëve të tij.

“Kushdo dëshiron të jetë në krah të palës fituese. Kështu që është tepër e mundshme që gjatë javëve apo muajve të ardhshëm, ne të kemi ndryshime në Parlament”, tha Iohannis, nga selia e partisë së tij “Liberal Kombëtare” (NLP), në Bukuresht.

“Ndaj, me shumë mundësi, gjatë vitit 2015 do të kemi ndryshime të rëndësishme, që mund t’i japin mazhorancën partisë “NLP” dhe që mund të përdoret për të ndryshuar qeverinë”.

Iohannis, premtimi i të cilit për të luftuar korrupsionin e ka bërë atë liderin politik më popullor në Europë (sa i përket Facebook), është angazhuar për rrëzimin e qeverisë së Pontas.

Presidenca i jep mundësinë dhe fuqinë Iohannis të zgjedhë një kryeministër të ri, nëse Ponta do të dështojë në një votëbesim të vitit të ardhshëm, por që kjo gjë të ndodhë do të duhet që dhjetra deputetë të braktisin koalicionin qeverisës përpara zgjedhjeve të vitit 2016. Socialdemokratët e Pontas mbështeten te dy parti me “peshë mesatare” dhe disa grupe më të vogla, për të formuar mazhorancën aktuale.

Megjithatë, që prej humbjes së presidencialeve, Ponta ka thënë se koalicioni i tij është i qëndrueshëm dhe ka përjashtuar çdo mundësi për t’u dorëhequr. Të mërkurën, partia e tij madje u është kundërpërgjigjur komenteve të Presidentit, të cilat kanë gjetur pasqyrim në mediat vendase.

“Në lidhje me deklaratat e bëra nga Presidenti i zgjedhur për një ndryshim të mundshëm në mazhorancën parlamentare, ne konfirmojmë se ajo është e qëndrueshme, ashtu siç mund të shihet”, tha zëdhënësja e socialdemokratëve, Gabriela Firea.

“Ndryshimi mund të bëhet vetëm përmes masave kushtetuese, jo në mënyra të tjera, e aq më pak përmes deklaratave në televizion”, tha ajo. “Ne jemi në pritje të planeve të Presidentit për të gjithë rumunët dhe jo për komentet e një analisti të ri politik.

Top Channel