Ministrja e Jashtme e Kroacisë, Vesna Pushiç ka kërkuar nga BE që të ushtrojë presion ndaj Serbisë në mënyrë që qeveria e këtij vendi të distancohet nga deklaratat e nacionalistit Vojisllav Sheshel.

“Shfrenimet e tij po i kthejnë pas raportet në rajon. Ne i inkurajojmë kolegët tanë në BE që ta dënojnë sjelljen e Sheshelit dhe që të kërkojnë nga autoritetet e Serbisë të distancohen nga deklaratat e tij, që të konfirmojnë rrugën evropiane të Serbisë”, tha Pushiç.

Vojisllav Sheshel u lirua më herët gjatë muajit nga gjykata ndërkombëtare e Hagës për motive shëndetësore, ndërkohë që vendimi ndaj tij lidhur me procesin për krime lufte në Kroaci e Bosnje do të jepet më vonë.

Kur u kthye në Beograd më 12 nëntor, Sheshel u prit si hero dhe në një manifestim të zhvilluar pak ditë më pas ai deklaroi se ende beson në ideologjinë e “Serbisë së madhe”.

Përgjegjësi për masakrat në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë gjithashtu tha se Serbia duhet të lidhë aleancë me Rusinë dhe jo me Bashkimin Evropian dhe cilësoi si tradhëtarë liderët aktualë të shtetit serb, Ivica Daçiç dhe Tomisllav Nikoliç.

Top Channel