Si ndikojnë “like”-t në vetëvlerësim?

26/11/2014 00:00

Vetëvlerësimi i vajzave adoleshente ka rënë në mënyrë dramatike shtatë vitet e fundit dhe studiuesit thonë se fajin kryesor e ka interneti.

Sipas një studimi më të fundit në Britaninë e Madhe, vetëm një e treta e vajzave 15-vjeçare kanë vetëvlerësim të lartë dhe se 66 përqind e tyre duan të bien në peshë. Gjithashtu, një e treta e adoleshentëve të grupmoshës 10-15 vjeç ndihen të tallur nga bashkëmoshatarët.

Dhe për këtë, faji më së shumti i vihet internetit. Sipas ekspertëve, koha e gjatë e kaluar në internet lidhej ngushtë me rënien e vetëvlerësimit.

Kështu, sipas një studimi tjetër, sa më shumë vajzat kalojnë kohë në internet, aq më shumë ka gjasa që ato të mos jenë të kënaqura me imazhin e trupit të tyre dhe përjetojnë vetëvlerësim të ulët. Çrregullimet e të ngrënit ishin të lidhura pikërisht me kohën e gjatë të kaluar në medien sociale.

Një studim i mëparshëm nga Akademia amerikane e Pediatërve, i quajtur “Depresioni i Facebook-ut”, ka zbuluar se adoleshentët që kalojnë shumë kohë në Facebook kanë tendencë për të treguar shenja depresioni.

Ndërkohë, dy universitete gjermane treguan se, ndjekja pasive në Facebook shkakton zili dhe dëshpërim, veçanërisht kur shihen fotot e pushimit. Një e dhënë tjetër interesante është se, ata që përdorin Facebook dhe medien sociale, me qëllimin për të përditësuar profilin e tyre, janë më mirë se ata që shpenzojnë orë të tëra për të lexuar në “Newsfeed”.

Pothuaj të gjitha studimet e kryera në këtë fushë i mëshojnë faktit, se rëndësi të madhe ka mënyra se si kalohet koha në mediet sociale.

Pjesa më e madhe e këtyre studimeve kanë testuar Facebook-un, si kanalin e tyre mediatik social, për shkak se është më i vjetri në kohë dhe se përdoret nga miliona njerëz.

Ndërkohë, një studim i realizuar në Shqipëri, një vit më parë, nga organizata “World Vision”, që kishte në fokus sigurinë online, nënvizoi gjithashtu faktin se nga intervistat me fëmijët rezultoi se, kalimi i kohës në internet ndikonte ndjeshëm në vetëvlerësimin e tyre.

Top Channel