Britani, burgosen dy “xhihadistët” e parë

26/11/2014 00:00

Dy vëllezër janë bërë të parët shtetas britanikë, që akuzohen dhe burgosen për trajnim terroristësh në Siri, që prej vitit 2013.

Mohommod Nawaz, 30 vjeç, dhe Hamza Nawaz, 24 vjeç, të dy nga Stratfordi në lindje të Londrës, u dënuan me 4 vjet e gjysmë njëri dhe 3 vjet burgim tjetri, respektivisht. Ata kishin pranuar më herët se kishin planifikuar pjesëmarrjen në një kamp trajnimi të terroristëve.

Dy djemtë u kapën nga policia në Dover, sapo ishin kthyer në Britaninë e Madhe, teksa kishin marrë me vete nga Siria plumba dhe foto, si trofe të asaj që kishin bërë atje.

Mohommod Nawaz, i dënuar më parë edhe për pengmarrje, pranoi gjithashtu fajësinë për posedim të kundraligjshëm të municioneve.

Gjatë dënimit të tyre, gjykatësi Christopher Moss, tha: “Është mëse e qartë nga provat e siguruara prej telefonave tuaj celularë, se ju të dy keni qenë në një kamp në Siri, i cili përdorej për stërvitje të terroristëve. Provat tregojnë se ju ishin atje për xhihadizëm, apo për luftën e shenjtë, si dhe keni dashur t’iu bashkoheni grupit ekstremist”.

Gjithsesi, ai pranoi se “fokusi” kryesor i tyre kishte qenë regjimi në Siri, në vend të sulmeve në Britani, pasi nuk pati asnjë provë që qoftë edhe njëri prej tyre të ketë marrë pjesë në luftime gjatë udhëtimit të tyre “relativisht të shkurtër”.

Policia londineze “Scotland Yard” e përshkroi burgosjen e tyre si një “pikë referimi historike”, si dhe të parën e një serie rastesh të tilla që do të dalin para gjyqeve për të marrë ndëshkimin e merituar.

Një përfaqësues i Policisë Metropolitane, Terri Nicholson, bëri apel ndaj familjeve të ndihmojnë sa të munden në parandalimin e personave të tjerë që të udhëtojnë drejt Sirisë.

Top Channel