Muze antikuaresh nga e gjithë bota

26/11/2014 00:00

Antikuarët. Zotërimi i objekteve, që shpesh dëshmojnë rrënjët tona, është një pasion që e kanë shumë njerëz. Kërkim, kosto dhe shumë dashuri për të vjetrën. Por, asgjë nuk ka të krahasuar për gjuetarët e sendeve të vjetra, sa mbushja shpirtërore prej vlerave të së shkuarës.

Nuk jemi në një muze vjetërsirash, por në hollin e banesës së Zina Përçunit. Një zonjë 65-vjeçare, që ka investuar shumë në mbushjen e çdo cepi të kësaj hapësire me objekte antike.

Objektet e këtij koleksioni nuk mund t’i masë me parà, veçse me kujtime dhe vlera shpirtërore.

“Këtë sixhade e ka pasur gjyshja, pastaj nëna ime kur u martua në ’50-n. Me ndarjen nga jeta të saj, kam mbi 30 vjet që e mbaj unë, ndërkohë që ka mbi 80 apo 90 vjet që mbahet nga familjet tona. Është një kujtim shumë i dashur dhe me vlerë për mua, sepse është nga nëna ime”, thotë Zina.

Dhe, zanafilla e dëshirës për të grumbulluar këto sende ka qenë familja, por dhe historitë që e kanë rrethuar atë.

“Unë jam nga Miloti dhe këto dele kanë ekzistuar në kishën e Milotit përpara 100 vjetësh. Në kohën kur prifti i Milotit u fut në burg, këto i fshehu murgesha e kishës, sepse kishte frikë mos ia merrnin gjërat e kishës. Megjithëse janë shumë të vjetra, janë një kujtim mjaft i veçantë fetar për mua”, shtoi më tej Zina.

Zina ka shëtitur shumë vende të botës dhe, kudo shkon, ajo gjithmonë kujdeset të marrë mbrapsht një kujtim fizik të atij vendi. Por, në vëmendje të parë janë antikuaret.

“Çfarë gjej gjëra të kohërave të vjetra, unë i marr. Po të kem hapësirë e mbush plot me gjëra të vjetra. Më pëlqejnë shumë”, shprehet ajo.

Radio të vjetra, telefona që datojnë në vite të ndryshme, makina qepëse – që jo rastësisht gjenden këtu, por sepse kanë një histori – veshje të trevave të ndryshme të Shqipërisë. Çdo gjë është vendosur për të sjellë në kujtesë një copëz kujtimi, kujtime historike, por mbi të gjitha ndjesi personale të gruas.

“Kjo çifteli është e Mark Ndocit, i prodhonte vetë dhe i binte shumë bukur. Kjo ka mbi 80 vjet”, shpjegon Zina.

Por, një objekt në veçanti është ndër sendet më të dashura të Zinës…

“Kjo është një radio-gramafon, një markë italiane dhe ka qenë e një familjeje aristokrate në Itali. Ata e kanë shitur dhe nipi im ma ka bërë mua dhuratë. Ditën kur ma solli nipi, si dhuratë, ka qenë gjëja më e bukur që kisha parë. Një kujtim i paharrueshëm dhe një emocion të jashtëzakonshëm që më shkaktoi nipi, kur më solli një gjë kaq të madhe. Unë e ruaj me shumë kujdes”, tha ajo.

Italia, Franca, Gjermania, Holanda, shumë vende kanë një copëz antike në shtëpinë e saj, që përfaqëson diçka prej të tyren.

“Këto lugë janë holandeze dhe janë shitur në Dyseldorf. Këto janë para kohës së Hitlerit”, shtoi Zina.

Edhe pijet zënë një vend të dashur në koleksionin e shumëllojshëm të 65-vjeçares. Në mostra të vogla, në shtëpinë e saj gjen gjithçka. Deri dhe verëra shumë të vjetra.

“Janë shumë të vjetra, disa datojnë në ’68-n, disa ’81-’82. I mbaj dhe i ruaj, madje do marr përsëri kur të shkoj në Itali, sepse nipi i ka gati për mua, që t’i marr”, shprehet Zina.

Zina ka qenë ndihmësmjeke në profesion, por vitet e pensionit të saj, ajo po i investon në pasonin e mbledhjes së sendeve antike.

“Nuk pyes fare, sa të bëjë e marr. Por, bëhet fjalë kur është një gjë e veçantë dhe që më pëlqen”, tha ajo.

Një volum shumë i madh objektesh të vjetra, por që gruaja e antikuareve pretendon t’i shtojë edhe më.

Top Channel