Dosja e C4-ës shkon në gjykatë

26/11/2014 00:00

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj katër personave, mes të cilëve dy ushtarakë, që u arrestuan në maj të këtij viti me 97 kg eksploziv të tipit C4.

Ndaj të pandehurve Ilir Dhamo, Pëllumb Daci, Artur Celo dhe Emiledi Taku janë ngritur akuzat “mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak në bashkëpunim” dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak në sasi të mëdha”.

Nga deklaratat e vetë të pandehurve mësohet se 1 kg eksploziv C4 është shitur për 2 mijë lekë të reja. Më konkretisht, në deklaratat e tij Ilir Dhamo shpjegon se është oficer me gradë kapiten, efektiv në Ministrinë e Mbrojtjes me profesion xhenier.

Për shkak të detyrës ai ka përvetësuar sasi eksplozivi dhe aksesorë të tjerë si kapsolla detonatorë, elektrikë, fitil zjarrpërcjellës, fitil detonator, etj.

Në vitin 2011 Dhamo ishte njohur me Pëllumbin Dacin, në atë kohë zv.komandant i batalionit të armatimit dhe municionit dhe që merrej me transferimin e municioneve për demontimin, shkatërimin e tyre.

Dhamo deklaron se Pëllumb Daci i kishte kërkuar t’i siguronte municione xhenjere dhe ai kishte pranuar duke i premtuar nëse do t’i jepej mundësia.

Në vitin 2011, gjatë kohës që ishte marrë me asgjesimin e municioneve xhenjere, të llojit eksploziv plastik, në poligone të ndryshme si Bizë e Martaneshit, Qafë e Barit, Zgarë të Librazhdit e Bigas në Skrapar, ai ka siguruar sasi të ndryshme lënde plasëse plastike dhe municionesh të cilën ia ka shitur shtetasit Pëllumb Daci sa herë që ai e porosiste.

Prej vitit 2011, i pandehuri Ilir Dhamo pohon se në total i kishte shitur rreth 40 kg lëndë plasëse plastike ose C 4  kundrejt shumës prej 2.000 lekë të reja për kg, si dhe kapsolla elektrikë, kapsolla detonatorë, fitil zjarrpërcjellës dhe fitil detonator.

Sipas tij, aparatet detonatore që përdoren për të plasur kapsollin elektrik pasi lidhen me rrjetin elektrik i ka marrë me firmë në tetor 2013 nga reparti ushtarak ku punon dhe i ka përdorur për të shpërthyer lëndën plasëse për ndërtimet pa leje nga INUK. Tashmë dosja është dorëzuar në Gjykatën e Tiranës dhe pritet të nisë gjykimi ndaj 4 të pandehurve.

Top Channel