Katalunja, një hap larg zgjedhjeve të parakohshme

26/11/2014 00:00

Dy partitë kryesore të Katalunjës janë vetëm një hap larg mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme rajonale, të cilat duan t’i përdorin si një mënyrë zëvendësuese e referendumit aq shumë të kërkuar për pavarësi nga Spanja.

Rajoni, i cili mban peshën sa 1/5-ta e prodhimit kombëtar të Spanjës, këmbënguli në mbajtjen e një referendumi simbolik për pavarësi më 9 nëntor, pavarësisht se kryeministri Mariano Rajoy bllokoi një lëvizje të tillë nëpërmjet gjykatave, duke e konsideruar atë të paligjshëm.

Pas votimit, udhëheqësi i katalanasve Artur Mas, i cili është paditur se ka sfiduar një urdhër gjykate për mos mbajtjen e referendumit, tha se ka marrë në konsideratë zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme rajonale, nëse partitë e Katalunjës do të bashkohen nën një slogan të vetëm, në favor të pavarësisë.

Mbrëmjen e së martës, ai caktoi një plan për të krijuar shtetin katalan brenda 18 muajsh, teksa hapi i parë që do të ishte hartimi i një platforme elektorale me mirëkuptimin e të gjithë politikavë, këtë herë të bashkuar.

Oriol Junqueras, udhëheqës i partisë së dytë më të madhe të Katalunjës, “Esquerra Republicana de Catalunya” (ERC), e kundërshtoi fillimisht ofertën, por të mërkurën tha se plani i Mas ishte “një pikënisje” shumë e mirë, për të cilën ai ishte gati të diskutonte.

Në pritje të një marrëveshjeje formale mes partisë së qendrës së djathtë të Mas, “Convergencia i Unio” (CiU) dhe të majtëve të ERC-së, që mund të arrihet brenda pak javësh, sugjerimi se ata mund të shkojnë në zgjedhje të bashkuar është një sfidë reale dhe e drejtpërdrejtë ndaj Rajoyt, duke treguar edhe njëherë se shanset për bisedime mes autoriteteve katalanase dhe qeverisë qëndrore të Spanjës thuajse janë venitur fare.

Top Channel