Programi i investimeve në BE, Junker planifikon injektimin e 315 mld eurove

27/11/2014 00:00

Ai që Jean-Claude Juncker paraqiti një ditë më parë në Strasburg për ekonominë e Europës është një program gjigand investimesh.

Planet e kreut të Komisionit Europian për injektimin e 315 miliardë eurove përbëjnë padyshim një sinjal të fuqishëm, por nuk mungojnë edhe zërat kundër. Qëllimi i paketës gjigande të Junckerit është mobilizimi i investimeve në Kontinentin e Vjetër në tre vitet e ardhshme. Vetë shefi i KE-së e cilësoi nismën si pjesën e munguar të “puzzle”-it për të rritur koniunkturën në Europë e për të krijuar vende pune.

Por, mekanizmi i i 21 miliardë eurove bërthamë të garantuar prej komisionit dhe Bankës Qendrore Europiane të cilat duhet të tërheqin gati 300 miliardë të tjera, rrethohet nga pikëpyetje të mëdha. “Përfitim apo paketë bosh” është titulli i shkrimit-analizë të “Deutche Velle”, i cili citon ekspertë të hedhin dyshime së pari se nga do të vijnë paratë për investime e së dyti, për çfarë do të shpenzohen ato. Kritikat e kristiansocialëve gjermanë mbi këtë planifikim mrekullie u bënë të qarta në radion gjermane DLF, të mërkurën.

“Nëse i hyn kësaj rruge duhet të zgjedhësh projekte që do mund t’i kthejnë paratë e investuara e këto dihet janë projekte që janë rentabël”, thonë ata. Në të kundërt, me një strategji të tillë krijohen rreziqe që as BE-ja, as Banka e Investimeve nuk do t’i ketë dhe në fund të fundit për to do të paguajnë shtetet anëtare. Pra, një paketë e bukur tani në prag të Krishtlindjeve, të cilën nëse e hap, e gjen se është bosh. Sipas kritikëve, paketa sjell më shumë rreziqe sesa përfitim për Europën.  

Në këndvështrimin e tyre, ekonomia nuk stimulohet me fonde publike, por ajo vetë duhet të aktivizohet për të investuar. Këtë debat do ta kemi gjithmonë, shprehen këta zëra. Nëse ofrojmë fonde tani, borxhet e nesërme vetëm ndërrojnë sirtar dhe nuk është kjo rruga për ta çuar përpara ekonominë europiane.

Top Channel