PD: Rama bllokoi projektin e Xhamisë së Madhe

27/11/2014 00:00

Partia Demokratike reagoi të enjten me pretendimin se Edi Rama ka
bllokuar vazhdimisht projektin e Xhamisë së Madhe,si në kohën kur ishte
kryetar bashkie ashtu edhe tani që është Kryeministër.

“Nëse ka një përgjegjës sot për vonesën e ndërtimit të Xhamisë së Madhe, ai është Edi Rama. Për 11 vite si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ai u bë pengesë dhe bllokoi mundësitë për ngritjen e këtij objekti kulti, kaq të nevojshëm për besimtarët muslimanë. Për 11 vite si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ai nuk i dëgjoi dhe nuk u konsultua as një ditë të vetme me përfaqësuesit e komunitetit, por tentoi t’u shesë atyre një projekt të dizenjuar në ateliene e interesave të tij, në kundërshtim me ligjet dhe me kodin etik të Komunitetit Mysliman”, tha Bregu.

Sipas Partisë Demokratike, me ndryshimin e drejtimit të Bashkisë së Tiranës, zëri i komunitetit u degjua, xhamia u projektua, trualli u negociua dhe në këtë moment Edi Rama bllokoi projektin.

“Sot bëri hipokritin, duke u lënë në dorë një copë letër. Por para se t’u thotë ja ku e keni, duhet të thoshte  se tashmë çështja është në gjykatë, dhe projekti është vënë në rrezik, vetëm e vetëm për shkak të Edi Ramës dhe trilleve të tij personale. Ai nuk mund të lajë duart me Xhaminë që e ka bllokuar prej 13 vitesh tashmë, 11 vite si kryetar bashkie e pothuaj dy vite si kryeministër. Nuk mund t’u lërë në derë besimtarëve një objekt të shenjtë kulti, me konflikt pronësie në mes”, tha Bregu.

Top Channel