Elbasan, zyra policie në çdo lagje të qytetit

27/11/2014 00:00

Qytetarët e Elbasanit do të kenë në dispozicion të tyre një punonjës policie në çdo rajon të Bashkisë, për çdo problem imediat.

Drejtoria e Policisë së Elbasanit dhe Bashkia kanë forcuar bashkëpunimin mes tyre, në kuadër edhe të projektit për policimin në komunitet.

Në këtë linjë, në të 6 rajonet e Bashkisë do të ketë një punonjës policie. Një gjë e tillë, sipas drejtorit Neritan Nallbati, jo vetëm do të sjellë policinë më pranë komunitetit, por rrit edhe shkallën e njohjes me qytetarët.

“Bashkëpunimi ynë do të fillojë me vënien në dispozicion të punonjësve të policisë së lagjeve dhe ambienteve në rajone. Çdo rajon do të ketë zyrën e vet , e cila do të shërbejë për pritjen e qytetarëve, për zgjidhjen e ankesave dhe kërkesave. Duke qenë së bashku me kryetarët dhe administratën e rajoneve, do të kemi një zgjidhje më të shpejtë të problemeve”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini.

“Ambientet dhe zyrat, të cilat ne po i bëjmë gati dhe shpresojmë t’i inaugurojmë së shpejti, pastaj të gjithë punonjësit e policisë do të jenë atje, do të jenë disa zyra në miniaturë, ku specialistët e policisë së zonës, apo edhe ata të hetimit, do të jenë prezent në orare të ndryshme gjatë ditës. Atje do të afishohen numrat e telefonave të tyre dhe oraret e pritjes së qytetarëve dhe, për shumë probleme imediate të qytetarëve ata do të jenë prezent atje për të marrë kallëzime, për t’iu gjetur pranë për probleme si humbja e dokumentacionit, etj”, deklaroi Neritan Nallbati, drejtor i Policisë Elbasan.

Ndërsa në lidhje të drejtpërdrejtë me edicionin e lajmeve të orës 15, ka qenë korrespondentja e Top Channel nga Elbasani, e cila është shprehur:

“Për të shtuar bashkëpunimin me komunitetin dhe për të thyer tabunë që policia është një institucion i izoluar, Drejtoria e Policisë së Qarkut të Elbasanit po ndjek tjetër strategji, falë edhe bashkëpunimit me pushtetin vendor. Në 6 njësitë e qeverisjes vendore të qytetit të Elbasanit do të ketë një zyrë policie, punonjësi i së cilës jo vetëm do të jetë më pranë problemeve të qytetarëve, por do të rrisë edhe shkallën e njohjes së personave problematikë, si dhe do të mundësohet të parandalohen ngjarjet kriminale. Policia e Elbasanit në fakt nuk po limitohet vetëm me takimet me komunitetin dhe takimet nëpër shkolla, por do të shtohet në tërësi bashkëpunimi me qytetarët. Nuk di ta përcaktoj se projekti i policimit në komunitet nis nga Elbasani, por është theksuar se pas zbatimit të reformës së re administrativo-territoriale ky projekt do të shtrihet edhe në Komunat e sotme, që do t’i bashkohen më pas Bashkisë së Elbasanit”.

Top Channel