Në Poloni zbulohen ‘vampirët’

27/11/2014 00:00

Në shekullin e 17 dhe të 18 kolera bënte kërdinë në vendet e Europës Lindore dhe në mungesë të një shpjegimi shkencor të sëmundjes, shoqëria e atyre viteve fajësonte “të keqen” për përhapjen e epidemive, sidomos ‘vampirët’.

‘Vampirë’ konsideroheshin në masë personat që vdisnin nga kolera, madje për t’u siguruar që ata nuk do të ngriheshin sërish nga varri për të përhapur sëmundjen praktikoheshin rite speciale varrimi.

Kështu trupi i pajetë i një personi të vdekur nga sëmundja lidhej mirë, madje në qafë i vihej një mjet i mprehtë që do t’i priste kokën nëse përpiqej të ringrihej, por ka edhe raste kur mbi gjoks i vendosej një gur i rëndë.

Raste të tilla janë të dokumentuara në shkrimet e kohës në pjesën më të madhe të Europës dhe nuk kanë munguar as provat. Të fundit mbërrijnë nga Polonia, ku në një fshat në veri të vendit u zbuluan dy skelete të ‘vampirëve’. Njëri prej tyre në qafë kishte të vendosur një mjet të mprehtë metalik, kurse tjetri një gur të rëndë. Që të dyja këto konsideroheshin masa për të mos lejuar vampirin që të ringrihet apo të kafshojë.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel