Izrael, shmanget atentati i celulës së Hamas

27/11/2014 00:00

Shërbimet e brendshme të sigurisë në Izrael deklarojnë se kanë zbuluar dhe shmangur planin e një celule të Hamasit në Bregun Perëndimor që parashikonte kryerjen e një seri sulmesh.

Shërbimi i sigurisë Shin Bet deklaroi se ka arrestuar mbi 30 militantë që ishin stërvitur jashtë shtetit dhe se ka rekuperuar një arsenal armësh dhe eksplozivi.

Sipas autoriteteve, celula kishte në plan të rrëmbente izraelitë, ndërsa ndër objektivat e tjerë ishin stadiumi i futbollit të Jeruzalemit dhe sistemi i tramvajit të qytetit.

Arrestimet vijnë në një kohë tensionesh të larta mes Izraelit dhe Palestinës. Në muajt e fundit, 11 shtetas izraelitë janë vrarë nga palestinezët, mes të cilëve katër rabinë dhe një polic që u vranë me thikë dhe armë zjarri në një sinagogë të Jeruzalemit javën e kaluar.

Nga ana tjetër, 12 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite të sigurisë, mes të cilëve janë edhe autorët e sulmeve të sipërpërmendura.

Agjencia e inteligjencës Shin Bet saktësoi se sulmet në stadium dhe ndaj rrjetit të tramvajit do të kryheshin përmes autobombave, ndërsa rrëmbimet ndaj shtetasve izraelitë do të kryheshin si brenda ashtu dhe jashtë vendit.

“Të dyshuarit, shumica e të cilëve janë palestinezë nga Bregu Perëndimor, si dhe dy jordanezë dhe një kuvaitian kishin marrë urdhëra nga dega e Hamasit me bazë në Turqi”, shtoi Shin Bet.

Agjencia shtoi se i njëjti grup ka qenë përgjegjës për dy shpërthime me bombë të ndodhura në Bregun Perëndimor 31 gushtin e kaluar, që për fat të mirë nuk shkaktuan viktima.

Top Channel