Kore, motra e Kim Jong un merr titull zyrtar

27/11/2014 00:00

Motra e vogël e liderit koreano-verior Kim Jong është tashmë “zyrtare e lartë” e Partisë Komuniste. Të paktën kështu i është referuar asaj për herë të parë media shtetërore e Penianit.

Kim Yo jong, që është diku rreth moshës 25 vjeç, është identifikuar nga gazeta si nëndrejtoreshë e një departamenti në Komitetin Qendror, raporton agjencia e lajmeve KCNA.

Kim Jong un është përfaqësuesi i brezit të tretë të familjes Kim që qeveris Korenë e Veriut. Edhe halla e tij ka pasur gjithashtu një rol të rëndësishëm në parti, por u zhduk nga skena pasi bashkëshorti i saj u ekzekutua për tradhëti.

Vëzhguesit deklarojnë se Kim Yo jong mund të ketë së shpejti edhe një rol mbështetës por domethënës në lidershipin e vendit.

Për herë të parë ajo u pa në publik në varrimin e të atit, Kim Jong il në vitin 2011. Që atëherë ajo është shfaqur disa herë në evenimente politike, duke shoqëruar të vëllain, por pa pasur ndonjë titull zyrtar në parti.

Kim Jong un, 31 vjeç dhe motra e tij janë të dy fëmijë të Kim Jong il dhe bashkëshortes së tij të fundit Ko Yong jui.

Ata mendohet të kenë ndjekur të njëjtën shkollë në Zvicër, sikurse vëllai i tyre i madh Kim Jong chol. Ky i fundit nuk ka ndonjë rol të përcaktuar në qeveri.

Top Channel