BE zgjeron sanksionet ndaj separatistëve

27/11/2014 00:00

Qeveritë e Bashkimit Europian kanë rënë dakord këtë të enjte të shtojnë edhe 13 separatistë të Ukrainës lindore dhe 5 organizata në listën e të sanksionuarve nga blloku.

Ambasadorët e 28 vendeve anëtare të BE-së u takuan të enjten dhe pas takimit dolën në konkluzionin se u duheshin ngrirë asetet financiare dhe u duhej vendosur ndalimfluturimi në hapësirën Schengen, ndërkohë që organizatave u janë ngrirë asetet financiare për shkak të “përfshirjes së tyre në veprime që kërcënojnë integritetin territorial të Ukrainës”, tha një burim i BE-së.

Emrat e tyre janë mbajtur sekret, por priten të publikohen në gazetën zyrtare të BE-së ditën e shtunë. Organizatat e vënë në objektiv janë kryesisht grupe politike, më shumë se sa kompani, thonë zyrtarët.

Vendimi zgjeron kështu listën e sanksioneve të BE-së për çështjen e Ukrainës, e cila deri më tani ka 119 persona dhe 23 entitete.

Qeveritë europiane kanë diskutuar gjithashtu propozimet për një “ndalim më të zgjeruar” të investimeve në Krime, si pjesë e politikës së BE-së për të refuzuar njohjen e aneksimit të rajonit ukrainas nga Rusia në muajin Mars.

Ministrat e Jashtëm të BE-së u takuan javën e kaluar dhe u kërkuan zyrtarëve të përfshinin më shumë separatistë ukrainas nën sanksione, pasi rebelët prorusë zgjodhën udhëheqësit e tyre në rajonet lindore të Ukrainës më 2 nëntor, një votim që Presidenti Petro Poroshenko e cilësoi “një farsë”.

Diplomatët thonë se ka shumë pak gjasa mes vendeve anëtare të BE-së, që të përshkallëzohen sanksionet ekonomike ndaj Rusisë, pasi Moska është furnizuesja kryesore e bllokut me gaz dhe energji, pavarësisht përfshirjes së saj në krizën e Ukrainës.

Top Channel