Qeveria e Maqedonisë po pengon një pjesë të madhe të nxënësve shqiptarë të shkollohen në gjuhën amëtare. Këto akuza i ka bërë Partia Demokratike Shqiptare, pas skandalit në media se në disa shkolla të mesme në Shkup, për një pjesë të konsiderueshme të nxënësve shqiptarë mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase.

“Nxënësve shqiptarë u parandalohet mundësia për t’u shkolluar në gjuhën amëtare. Janë plot shkolla të mesme ku nxënësit shqiptarë mësojnë në gjuhën maqedonase”, ka deklaruar deputeti Orhan Ibrahimi.

Në shkollën e mesme ekonomike “Arseni Jovkov” në Shkup, nga 1.170 nxënës shqiptarë që kanë qenë të regjistruar vitin e kaluar shkollor, 118 kanë ndjekur mësimin në gjuhën maqedonase.

Gjendja edhe më skandaloze është në gjimnazin “Cvetan Dimov”, ku nuk ka të regjistruar asnjë nxënës maqedonas, ndërsa për rreth 30 për qind të nxënësve shqiptarë mësimi zhvillohet në maqedonisht.

Për këtë situatë, por edhe për skandalin me tekstet shkollore PDSH-ja opozitare fajësoi zyrtarët e partisë shqiptare në pushtet, BDI.

“Natyrisht që ka pjesë të përgjegjësisë edhe kryetari i komunës edhe kryetari i qytetit të Shkupit, por përgjegjësia bie ekskluzivisht mbi Ministrinë e Arsimit dhe ministrin. Ata duhet të zbatojnë ligjin, ata duhet të marrin masa shumë të rrepta karshi këtyre ngjarjeve dramatike e skandaloze që diskriminojnë fëmijët shqiptarë”, ka thënë Ibrahimi.

Ndërkohë, këshilltarët shqiptarë në Bashkinë e Shkupit kanë reaguar vetëm pas publikimit të këtij skandali, duke paralajmëruar se do të kërkojnë mbylljen e klasëve paralele në ato shkolla ku mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase për nxënësit shqiptarë dhe do të angazhohen për zgjerimin e numrit të klasave me mësim në gjuhën shqipe.

Top Channel