Të bësh pazar, deri sa të mos kesh më fuqi! Ky është parimi i të “premtes së zezë”, ditës kur turmat e blerësve “çmenden” dhe pushtojnë qendrat tregtare.

Dita e pazareve, më e famshmja në botë, është e premtja që vjen pas Ditës së Falënderimeve dhe që përfaqëson hapjen zyrtare të sezonit të blerjeve për Krishtlindje.

E premtja e zezë do të thotë ulje drastike e çmimit të produkteve; radhë të stërgjata njerëzish, që presin për orë të tëra para dyerve të dyqaneve; dhe konsum deri në ekstrem…

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglia qëndrojnë në krye të toplistës, ku shpenzimet kapin shifra marramendëse, që arrijnë në miliona dollarë dhe paund. Kjo ditë konsiderohet si një strategji e mirëmenduar e kompanive tregtare, për të rritur shitjet në periudhën e fundvitit.

Dekada më parë, e “premtja e zezë” niste rreth orës 6 të mëngjesit, por në vitet 2000, kur vërshimi i turmës së blerësve nisi të bëhej gjithmonë e më i pakontrollueshëm, qendrat tregtare dhe dyqanet vendosën të hapnin dyert më herët.

Viti 2011 shënon kulmin e blerjeve gjatë kësaj dite dhe, që nga ajo kohë, dyqanet happen që në mesnatë për konsumatorët. Por, si iu vendos ky emër ditës së pazareve më të famshme në botë?

Origjina vjen nga Filadelfia, ku etiketimi “e premte e zezë” përshkruante ngarkesën e madhe të trafikut pas Ditës së Falënderimeve. Më vonë, kjo nisi të marrë një tjetër kuptim, atë të shitësve përfitues, të cilët në mënyre figurative simbolizonin të zezën.

Top Channel