Një takim i parë, si nëpër filma

27/11/2014 00:00

Takimi i parë, një ngjarje që krijon emocione, por edhe frikë për jo pak njerëz, të cilët druajnë se nuk do të marrin pëlqimin reciprok.

Me gjithë çiltërsinë që mbart, frika është një ndienjë e cila mund edhe ta thyejë një marrëdhënie të re.

Megjithëse ka shumë ide të shkëlqyera se çfarë mund të bëjë një çift në takimin e tyre të parë, si duhet të jetë ai, si duhet të përgatitemi për të thyer akullin e për të sjellë dy njerëz më afër njëri-tjetrit, edhe kinematografia na vjen në ndihmë.

Në jetë ka trajnerë, konsulentë financiarë, këshillues karriere; të gjithë të gatshëm për të të ofruar shërbimet e tyre, por në filmin “Hitch” – me protagonist Wll Smith – ai është një profesionist që të ndihmon si të biesh në sy, e të kesh një takim të suksesshëm me vajzën e ëndrrave. Ky profesionist të ndihmon deri në hollësitë e takimit për të qenë i përgatitur. Edhe pse një mjeshtër i këtij zanati, kur vjen puna për veten e tij, gjërat nuk janë kaq të lehta.

E ndërsa gjithçka përfundon mirë në filmin komedi “Hitch”, situatat nuk janë kaq të thjeshta në romancën “50 takimet e para”, me protagonist yjet e kinemasë Adam Sandler dhe Drew Barrymore. Një djalë i shpenguar, që takohet me dashurinë e jetës së tij, por të nesërmen ajo nuk kujton se çfarë ka ndodhur një ditë më parë, pasi ka probleme me kujtesën. Çdo ditë për të është takim i parë dhe çdo ditë është e re, është njësoj e vështirë dhe romantike në të njëjtën kohë.

Janë të shumtë filmat, të cilët vënë në qendër takimin e parë, duke na bërë ta shohim me më shumë seriozitet dhe të kërkojmë mirësjelljen dhe romantikën, ashtu si nëpër filma.

Top Channel