Korçë, projekti për financimin e ushqimit

27/11/2014 00:00

Pas thuajse 5 vitesh është bërë realitet projekti i ushqimit për fëmijët e komunitetit rom dhe egjiptian, të cilët për shkak të pamundësive ekonomike braktisin shkollën.

Fenomeni, i cili është thuajse në masën 25%, ka bërë që instancat të gjejnë mekanizma për t’i kthyer ata drejt shkollës, duke u përpjekur që t’u sigurojnë atyre lehtësi në arsimimin e tyre.

Thuajse 5 vite më parë, për shkollën “Naim Frashëri” në Korçë, ku mësojnë 320 fëmijë të komunitetit rom dhe egjiptian, u premtua që do të financohej ushqimi, duke bërë që këta vogëlushë të kishin mbështetje për atë, që familjet e tyre nuk ua siguronin.

Kreu i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, teksa ka ndjekur aktivitetin e organizuar nga këta fëmijë me rastin e festave të nëntorit, ka shpërndarë edhe porcionet e para të ushqimit, që do të jenë prezent në çdo ditë mësimi për këta fëmijë.

Pas tratativash të shumta, qeveria i ka akorduar Bashkisë fondin prej 4 mln lekësh, i cili do të përdoret përgjatë gjithë vitit për t’u ofruar ushqimin fëmijëve të kësaj shkolle.

Top Channel