Veliaj falenderon qytetarët që paguajnë energjinë

27/11/2014 00:00

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj iu bashkua sërish aksionit të OSHEE-së kundër vjedhjes së energjisë elektrike, por këtë herë u takua me qytetarë dhe përfaqësues të bizneseve të rregullta në zonën e Komunës së Parisit, në Tiranë, për t’i falenderuar që paguajnë faturat e energjisë.

“Sot patëm një mundësi për t’i shtrënguar dorën dhe për t’u thënë faleminderit qytetarëve që e paguajnë energjinë elektrike. Këto kohë jemi marrë shumë me ata që abuzojnë, por në fakt njerëzit më të rëndësishëm nuk janë ata që abuzojnë, por njerëzit e ndershëm që paguajnë taksat, sigurimet shoqërore dhe energjinë elektrike”, deklaroi Veliaj.

Ministri Veliaj falenderoi në emër të qeverisë shqiptare të gjithë qytetarët e rregullt me pagesat e energjisë dhe u shpreh se aksionet e suksesshme të OSHEE-së kanë disiplinuar situatën.

“Ashtu siç doli edhe sot nga vizita e shkurtër në përkrahje të aksionit të OSHEE-së për pagesat e energjisë elektrike, qytetarët e ndershëm nuk mungojnë, madje janë shumicë. Një qytetar i ndershëm e kupton se duke paguar energjinë elektrike ndihmon ekonominë, buxhetin e shtetit dhe hapjen e vendeve të punës”, shtoi Veliaj.

Top Channel