OPEC refuzon të ulë prodhimin, nafta bie në nivele rekord

27/11/2014 00:00

Më shumë se gjashtë orë bisedime në Vjenë nuk kanë mjaftuar që vendet e OPEC-ut të bien dakort për të ulur prodhimin e naftës, kërkesë kjo e disa shteteve më të mëdha prodhuese për të ndalur uljen e çmimit të “arit të zi” në tregjet botërore.

Nëse do të ishte vendosur ulja e prodhimit, kjo do të ishte hera e parë që do të ndodhte që nga viti 2008, kur këto vende reduktuan fuçitë e prodhuara për të ndalur uljen e çmimit si pasojë e krizës financiare globale. 

Analistët thonë se ulja me 1.5 milion fuçi në ditë e prodhimit nga ana e OPEC-ut do të mjaftonte për të ndalur rënien e mëtejshme të çmimit të naftës. Por Arabia Saudite, prodhuesi më i madh i kësaj organizate prej 12 anëtarësh, së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe refuzuan këtë kërkesë.

“Nuk do të na zërë paniku. Kjo nuk është hera e parë që ndodh. Nuk është e para krizë që mbjell shqetësim. I kemi parë çmimet të mbërrijne nivele edhe më të ulëta se kaq. Ne nuk jemi të interesuar në zgjidhje afatshkurtra, sepse e dimë që nuk zgjasin”, tha Mohammed al Mazroui, përfaqësues i Arabisë Saudite në OPEC.

Mungesa e një marrëveshje u reflektua menjëherë në tregjet globale. Marka europiane e naftës, Brent ra me 7 pikë duke zbritur në 72.60 dollarë për fuçi, ndërsa në Shtetet e Bashkuara ulja ishte edhe më e madhe, 69 dollarë për fuçi.

Ky vendim i OPEC godet më fort vendet si Rusia, Nigeria dhe Venezuela që për të përmbushur objektivat e tyre ekonomikë duhet të shesin me të paktën 90 dollarë fuçinë.

Në Moskë rubla ruse u shvlerësua sërish me 2.5 përqind. Rusia nuk është anëtare e OPEC-ut, por përpara mbledhjes kishte kërkuar solidaritet nga vendet anëtare të organizatës. Më shumë se gjysma e të ardhurave të ekonomisë, Rusia i siguron nga nafta dhe gazi dhe rënia e çmimeve shto edhe sanksionet e Perëndimit po vendosin nën një trysni të madhe ekonominë vendase.

Në të shkuarën OPEC ka reduktuar prodhimin për të mbajtur një çmim të qëndrueshëm gjatë trazirave në tregje, ndërsa vendimi në fjalë konsiderohet më shumë një vendim gjeopolitik për të parë se kush do të mbijetojë më mirë mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë që respektivisht prodhojnë nga 10 milion fuçi në ditë.

Top Channel