Rama: Rasti i Lushnjes, ‘maja e ajsbergut’

27/11/2014 00:00

Kryeministri i vendit, Edi Rama është shprehur i shqetësuar për fenomenin e mitmarrjes në sistemin arsimor. Duke marrë shkas nga rasti në Lushnje, Rama u shpreh se do të shkërmoqë të gjithë korupsionin në arsim, pa kyrsuer askënd.

“Ngjarja e rëndë e Zyrës Arsimore të Lushnjes nuk është aksident i veçuar, por është maja e një ajzbergu që ne do ta bëjmë copë-copë pa kursyer askënd”, deklaroi Rama.

Kryeministri lajmëroi si pjesë të një reforme të madhe në arsim heqjen e së drejtës të emërimit të mësuesve nga drejtorët e Drejtorive Arsimore, vendim ky që do të merret brenda vitit.

“Asnjë drejtor Drejtorie Rajonale dhe Drejtorie Arsimore nuk do të ketë më në dorë të bëjë emërime apo çemërime”, nënvizoi Rama. Rama kërcënoi se do të bëjë betejë ndaj korrupsionit pa kyrsyer askënd, qoftë edhe pushtetin, siç bënë paraardhësit e tij.

“Prandaj do bëjmë betejë paralele. Do ta provojmë përditë se nuk do kursejmë asgjë dhe askënd. Nuk do kursejmë pushtetin tonë si të tjerë para nesh, që për të qëndruar në pushtet preferuan t’i shtyjnë përballjet me sëmundjet dhe plagët e vendit, duke lejuar që këto sëmundje dhe këto plagë të zotërojnë gjithë organizmin e vendit”, theksoi Rama.

Deklaratat kryeministri i bëri në aktivitetin për vlerësimin e shkollave më të mira të vendit. Në këtë event, duke prezantuar reformat, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla u shpreh se drejtoresha arsimore e Lushnjes nuk ishte zgjedhur me konkurs.

Top Channel