BSH nuk gjen dot ilaçin

27/11/2014 00:00

Ekspertët thonë se uljet e njëpasnjëshme të normës bazë e kanë futur politikën monetare në një kurs të dëshpëruar, duke e bërë të pafuqishme për të ndikuar tek ekonomia.

“Këto kanë mbetur në përpjekje të dëshpëruara të Bankës për të gjallëruar aktivitetin ekonomik, sepse paraja e lirë nënkupton që aktiviteti i investimeve dhe kërkesa të jenë më të larta. Por fakti është se për një sërë arsyesh, më shumë të kërkesës, agjentët ekonomikë nuk kanë pasur kërkesë të madhe për para”, deklaron Selami Xhepa.

Ndërsa Elvin Meka thotë se ashtu si ka ndodhur deri më tani, efekti i vetëm i kësaj mase do të jetë ulja e interesave të depozitave, por jo kredive, të cilat sipas tij ndikohen nga një tjetër faktor.

“Pavarësisht se ulim normën bazë, ajo që mbetet e pandryshuar është primi i riskut. Pikërisht ajo pjesë e normës finale të interesit, që bankat janë të detyruara ta mbulojnë duke ngarkuar një normë më të lartë interesi”, vlerëson Meka.

Shqipëria ka një treg të cekët financiar, ku alternativat e investimit janë ose në depozita, ose në letra të qeverisë. Ekspertët thonë se në këto kushte, ulja e fortë e normës nga Banka e Shqipërisë po bëhet e rrezikshme për ekonominë.

“Fakti është se një pjesë e rëndësishme e depozitave nuk po shkojnë si kursime në sistemin bankar, për shkak të reduktimeve të ndjeshme të normave, por po devijohen në investime alternative për të cilat sistemet mbikëqyrëse nuk janë në lartësinë e duhur sikundër janë depozitat e garantuara në sistemin bankar”, thotë më tej Xhepa.

Tregu ka filluar të shfaqë sinjalet e para të devijimit të kursimeve. Në tre vitet e fundit individët kanë zhvendosur mbi 700 milionë dollarë nga depozita në fondet e investimeve.

“Sa më i madh bëhet hendeku mes normave të interesit dhe depozitave dhe letrave me vlerë të qeverisë afatgjata, aq më të prirur do të jenë njerëzit për ta ndryshuar këtë model kursimi. Por duhet të pasqyrohen rreziqet që shoqërojnë këto alternativa të tjera, që shkojnë përtej sistemit bankar dhe depozitave”, vlerëson më tej Meka.

Një ditë më parë Banka e Shqipërisë vendosi ta ulë normën në 2.25 për qind, që është minimumi i ri historik.

Top Channel