Krijohet komisioni për reformën në drejtësi

27/11/2014 00:00

15 anëtarë do të ketë Komisioni parlamentar i reformës së shumëdebatuar në drejtësi, miratimi i të cilit u bë në këtë seancë. Shumicën do ta ketë mazhoranca.

“Jemi të vetëdijshëm dhe shumë të gatshëm që të ofrojmë konsensus, kohë dhe hapësirë për të gjithë, për opozitën në radhë të parë. Por, nga ana tjetër, nuk duhet të harrojmë se kjo reformë nuk mundet të zgjatet në kohë”, u shpreh Fatmir Xhafa.

Reforma do të jetë e thellë, tha kryetari i Komisionit të Ligjeve, dhe nuk do të ketë asnjë drojë të shkohet deri te prekja e Kushtetutës.

“Reforma do të synojë të sigurojë instrumentat e duhur që zbatimi i ligjit, ushtrimi i ndjekjes penale, dhënia e drejtësisë të mos jenë të mbyllur në duart e një prokurori të keq, apo një gjyqtari matrapaz”, tha kreu i Komisionit të Ligjeve, Xhafaj.

Përveç opozitës, do të ketë edhe forume të gjera të ekspertëve të sistemit, të cilëve Fatmir Xhafa iu garantoi gjithësecilit se do të ketë hapësirën e nevojshme për t’u dëgjuar.

“Të bindur se jetësojmë shprehjen e famshme: Në mos sot, kurrë. Në mos ne, kush?”, u shpreh Xhafaj.

Në këtë seancë ishin të pranishëm edhe 4 deputetët e PDIU-së në opozitë, të cilët votuan kundër projektvendimit të ngritjes së Komisionit të reformës në drejtësi dhe projektbuxhetit. Por, ata dhanë votën pro për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, projektligjit për Avokatin e Popullit dhe KLSH, duke shënuar 89 vota pro në sallë.

Top Channel