Si po masakrohen pyjet në jug-lindje

27/11/2014 00:00

Emisioni Fiks Fare nisi mbrëmjen e se enjtes transmetimin e një serie investigimesh që sjell një panoramë të plotë të shkatërrimit të vazhdueshëm që po u bëhet pyjeve në jug-lindje të vendit.

Gazetarët e Fiks Fare sjellin faktet që nga prerja e deri tek transporti i druvë për ngrohje, ndërkohë që nevojat për ngrohje nuk plotësohen as në Korçë.

Pyjet në një zonë shtetërore në Ersekë priten pa u shqetësuar nga askush, ndërkohë që Drejtoria Pyjore e Korçës shmangu komentin të vendosur përballë fakteve të gazetarëve të Fiksit.

Drejtori i Pyjeve në Qarkun e Korçës fillimisht tha se nuk kishte informacion dhe se kërkonte më shumë kohë për të përgatitur intervistën, por edhe pas kalimit të të gjitha afateve ligjore për të dhënë shpjegime, ai sërish nuk kishte asnjë koment.

Gjithashtu, ekipi ka bërë edhe një mbikëqyrje nga ajri me helikopter, me pamjet filmike që tregojnë sipërfaqe të tëra pyjore të shfarosura. Një nga zonat e mbikëqyrura ka qenë ajo e Qafës së Dëllinjës, ku mund të shihen qindra metra kub dru të bëra gati për t’u zbritur e për t’u transportuar.

Kur kërkesa për dru në vend është 1.3 milion metër kub dru, vendi ynë eksporton edhe atë pjesë të kërkesës që mund të plotësojë. Vetëm nga pika kufitare e Kapshticës janë eksportuar 1.500 metër kub dru zjarri. Vetëm Korça ka nevojë për 300 mijë metër/kub dru dhe aktualisht jepet 25 mijë metër kub.

Top Channel