Meksikë, Presidenti premton reformë në polici

27/11/2014 00:00

Presidenti i Meksisës, Enrique Pena Nieto, pas kritikave të ashpra të marra së fundi, deklaroi këtë të enjte se do të propozojë ndryshime kushtetuese për të thjeshtëzuar strukturën kaotike të policisë së vendit, pas rrëmbimit dhe masakrimit të mundshëm të 43 mësuesve praktikantë.

Pena Nieto është vënën nën presion të madh nga protestuesit, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe brutalitetit të forcave të sigurisë, që kur 43 studentët u rrëmbyen nga policia e korruptuar në qytetin jugperëndimor të Igualas, mbrëmjen e 26 shtatorit.

Qeveria tha se policia lokale i kishte dorëzuar studentët drejt një karteli droge, që me shumë gjasa i kanë masakruar për vdekje ato, e më pas u kanë djegur edhe trupat. Në një fjalim të mbajtur përpara një asambleje udhëheqësish politikë, Pena Nieto tha se “Meksika nuk mund të vazhdojë më kështu”.

“Pas rastit të Igualas, Meksika duhet të ndryshojë”, tha ai, duke theksuar gjithashtu reformimin e këtij sektori, me anë të krijimit të një ligji të ri kundër infiltrimit të krimit të organizuar dhe për ridimensionimin e fuqive të sistemit penal.

Presidenti tha se do t’i dorëzojë këtë nismë Kongresit për të unifikuar forcat policore të shumë-shtresëzuar në shtetet e Meksikës, si dhe ka urdhëruar një operacion special të sigurisë në jugperëndim, pjesë të tëra të së cilës janë nën kontrollin e karteleve të drogës.

Pena Nieto tha se qeveria do të nisë gjithashtu një program për të nxitur rritjen në zonat e prapambetura ekonomikisht dhe ato të trazuara, veçanërisht në jugperëndim, duke siguruar se ato do të përfitojnë nga kushte preferenciale të financimit.

Vetëm 2 përqind e krimeve në Meksikë arrijnë të ndëshkohen dhe, pavarësisht disa dënimeve të dhëna nga gjykatat amerikane kundër zyrtarëve të lartë meksikanë, shumë pak prej tyre janë përballur me hetimet në vendin e tyre, e jo më me procese gjyqësore.

Top Channel