Kujtohet dita e Pavarësisë, flamuri ngrihet nga kampionët e botës

28/11/2014 00:00

Qytetarët vlonjatë, por edhe shqiptarë të ardhur nga Kosova dhe Maqedonia, veshën kuqezi “Sheshin e Flamurit” për të kremtuar 102-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, ndërsa politikanët janë përulur me respekt e nderime në memorialin e babait të Kombit, Ismail Qemali.

Të parët kanë mbërritur në “Sheshin e Flamurit” kreu i Kuvendit, Ilir Meta, me Kryeministrin Edi Rama, të cilët kanë pritur të rreshtuar para shtizës së flamurit ardhjen e Presidentit Bujar Nishani.

Në këtë 102-vjetor të Pavarësisë, flamuri nuk është ngritur nga truprojat e ceremonialit, sikurse ka ndodhur në të shkuarën, por nga dy kampionët e botës në peshëngritje, Daniel Godelli dhe Romela Begaj.

Pak përpara ngritjes së flamurit, Top Channel i mori këto komente 2 kampionëve:

Romela:  Është një kënaqësi. Fati më i mirë mua dhe për Vlorën se unë jam vlonjate. Kënaqësi dhe falenderoj krerët e shtetit sepse kjo ngjarje është shumë e bukur për mua.

Danieli: Ne ngritëm flamurin kur morëm medaljen dhe tani është një gëzim dhe nder i madh për mua ta ngremë edhe këtu.

Nuk ishin vetëm vlonjatët, ata të cilët e veshën kuqezi “Sheshin e Flamurit”, por edhe shqiptarë nga Kosova, Lugina e Preshevës, Maqedonia dhe qytete të tjera të Shqipërisë.

“Ditë më të bukur nuk di. Dita e Flamurit, e Pavarësisë së Shqipërisë. Urime të gjithë shqiptarëve dhe një bashkim sa më të shpejtë për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen”, thonë shqiptarë nga Tetova.

Pjesë e kremtimit të 102-vjetorit të Pavarësisë ishin edhe veteranët e Luftës Nacional Çlirimtare, të cilët në këtë prag 70-vjetori të Çlirimit të vendit nuk i kursejnë kritikat për debatet e hapura në rishkrimin e historisë.

“Vlora e pret me gëzime dhe entuziazëm këtë përvjetor. Kjo ndarje e historisë është dëm për të gjithë krahët politikë, është gjëma që i bëhet kombit shqiptar nga këta shkruesit e historisë”, thotë një veteran i luftës.

Në “Sheshin e Flamurit”, kryebashkiaku Gjika, sikurse edhe krerët më të lartë të shtetit, kanë shmangur fjalimet zyrtare apo prononcimet për median.

Top Channel