Australi, aksion pastrimi pas stuhisë së egër

28/11/2014 00:00

Një operacion masiv pastrimi po zhvillohet në qytetin australian të Brisbejnit, pasi një stuhi e fuqishme përshkoi gjithë jug-lindjen e shtetit të Kuinslendit.

Stuhia shkaktoi breshër, kokrat e të cilit kishin përmasat e një topi të golfit, duke shkaktuar dëme në mbarë qytetin e më gjerë. Deri në 90 mijë shtëpi mbetën pa energji pasi erërat e forta me 140 kilometra në orë rrëzuan pemë dhe shtyllat e energjisë elektrike.

Probleme patën edhe udhëtarët, pasi shërbimet hekurudhore në mbarë Brisbejnin u pezulluan. Ministri i Transporteve Scott Emerson vlerësoi se kostoja e dëmeve arrin mbi 100 milionë dollarë australianë.

Ai tha gjithashtu se kjo ishte stuhia më e keqe që goditi qytetin në pothuajse 30 vjet. Kryeministri i shtetit të Kuinslendit, Campbell Newman tha gjithashtu se bëhej fjalë për stuhinë më të keqe që prej vitit 1985.

“Për fat të mirë, të dhënat tona deri në këtë fazë flasin për 12 persona të plagosur. Jam i habitur por edhe i gëzuar që gjithçka ka mbaruar me kaq, duke parë dëmet e shkaktuara natën e kaluar”, deklaroi Newman.

Ndërkohë, kompania shtetërore që menaxhon energjinë elektrike, Energex, zbriti gjatë natës në terren ekipe speciale për të riparuar dëmet dhe për t’u rikthyer energjinë qytetarëve. Megjithatë, mëngjesin e së premtes numëroheshin ende 68 mijë shtëpi pa elektricitet.

Stuhia vërshoi pasditen e së enjtes, duke lënë shumë udhëtarë të bllokuar në rrjetet e metrosë. Pamjet televizive tregonin xhama dritaresh të thyera dhe rrugë e makina të mbuluara thuajse tërësisht nga uji.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel