Opozita kujton Pavarësinë dhe Çlirimin

28/11/2014 00:00

Dita e Flamurit dhe ajo e Çlirimit janë festuar sot nga opozita, e cila ka përkujtuar heronjtë që dhanë jetën për çlirimin e vendit.

Një ceremoni që drejtohej nga kryebashkiaku i Tiranës, njëherazi dhe kryetar i Partisë Demokratike, është zhvilluar në përkujtim të 70-vjetorit të Çlirimit dhe 102-vjetorit të Pavarësisë së vendit, në “Varrezat e Dëshmorëve” në Tiranë. Në homazhe morën pjesë ish-kryeministri Berisha dhe deputetë të tjerë të Partisë Demokratike, të cilët nuk e njohin si festë të Çlirimit, 29 nëntorin.

Kryetari i Partisë Demokratike, në një deklaratë para mediave, tha se Pavarësia e Shqipërisë, liria e Shqipërisë në gjithë dimensionet e saj, i ka rrënjët në sakrificën sublime të mijëra shqiptarëve.

“Liria si Pavarësi, liria nga pushtimi nazi-fashist, liria nga diktatura komuniste kërkoi dhe mori sakrifica të mëdha nga ky komb. Ndaj sot, ne përkulemi me nderimin më të thellë para gjithë atyre, që nuk u stepën para sakrificës sublime. Kemi përgjegjësinë e madhe, që idealin e lirisë për të cilin kemi sakrifikuar kaq shumë, mos t’ia sakrifikojmë kurrë axhendave të ngushta politike. Por, të luftojmë fort dhe pa kompromis për ta thelluar sa më shumë dimensionin e lirisë. Edhe njëherë gëzuar këtë festë të madhe, që bashkon shpirtrat e të gjithë shqiptarëve”, u shpreh Lulzim Basha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk ka lënë në harresë, në këtë 28 nëntor, ditëlindjen e Adem Jasharit, ku rreth orës 11 janë zhvilluar homazhe pranë bustit të tij, në rrugën e Durrësit, në kryeqytet.

“28 nëntori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe i Çlirimit të atdheut, 28 nëntorët e Shqipërisë demokratike nuk do të ishin njësoj, pa lirinë e Kosovës, pa Pavarësinë e saj, pa dhënien fund të padrejtësisë shekullore të ndarjes, copëtimit dhe robërimit të kombit shqiptar”, deklaroi Basha.

Në orët e pasdites u zhvilluan homazhe edhe pranë bustit të “Ismail Qemalit”, pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë.

“Është sot nderi im që, së bashku me qindra qytetarë të Tiranës, në orën që përkon me atë të shpalljes së pavarësisë 102 vjet më parë, të përkulemi sërish ashtu si vjet, ashtu si në 100-vjetorin e Pavarësisë përpara atit të Pavarësisë, Ismail Bej Vlorës”, tha Basha.

Top Channel