Ulet ndjeshëm çmimi i naftës

28/11/2014 00:00

Brenti i Londrës vazhdoi pikiatën e çmimit edhe pas takimit të shteteve anëtare të OPEC-ut duke prekur nivelin më të ulët që prej 2010-s.

Një fuçi e saj u shit për më pak se 72 dollarë derisa çmimi arriti të stabilizohej në 72.82 dollarë. Nafta bruto amerikane ra me 4.64 dollarë, duke u fiksuar në 69.05 dollarë për fuçi.

Edhe pse ndasitë ishin të mëdha mes 12 vendeve të kartelit sa i takon prodhimit, në Vjenë duket se triumfoi linja e Arabisë Saudite e Emirateve të Bashkuara Arabe për të mos tentuar uljen e kuotimit përmes reduktimit të fuçive.

“Ka një rënie të çmimit të naftës, është e vërtetë. Por kjo nuk do të thotë se duhet të nxitojmë për të bërë diçka”, deklaroi Abdallah Salem el Badri, sekretar i përgjithshëm i OPEK.

Tregjet nuk prisnin ndonjë gjë të madhe nga takimi në kryeqytetin e Austrisë. Pritshmëria kryesore ishte ajo e një angazhimi për tkurrjen e prodhimit shtesë, por grupi vendosi t’i lërë gjërat ashtu siç janë.

Sipas analistëve, strategjia e ruajtjes së të njëjtit nivel prodhimi edhe në kushtet e një ngopjeje të tregut prej naftës amerikane apo dhe uljes së kërkesës në Europë e Azi, mund të ketë për qëllim ruajtjen e dominimit në treg.

Nafta amerikane e nxjerrë prej burimeve argjilore është vërtetë shkaktarja kryesore e një kuotimi më të ulët të arit të zi, por nga ana tjetër, sa më të shumë të bjerë çmimi, aq më pak i leverdisshëm bëhet edhe vetë prodhimi i saj.

Nëse çmimi i naftës do të lejohet të qëndrojë kaq ulët për shumë kohë, atëherë në periudhën afatgjatë prodhimit të naftës argjilore do t’i vihet një tavan. Në këtë këndvështrim, çmimi i ulët për OPEK-un e ka një logjikë.

“Sauditët duan që OPEK-u të vazhdojë të mbetet një organizëm i rëndësishëm në sektorin e naftës. Dhe në mendjen e tyre, e vetmja mënyrë për ta realizuar një gjë të tillë është ta ndrydhin prodhimin e naftës amerikane nga burimet argjilore”, thotë ekonomisti Phil Flynn.

Organizata e vendeve eksportuese të arit të zi siguron një të tretën e shitjeve globale dhe ka në mesin e saj disa prej prodhuesve më të mëdhenj të naftës në botë.

Top Channel