Çelet Zyra e Shërbimeve Unike, Rama: Do të shkundim korrupsionin

28/11/2014 00:00

Nisma për marrjen e shërbimeve policore vetëm në një sportel është lançuar edhe në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, në përurimin e Zyrës së Shërbimeve Unike në këtë drejtori.

“Zyrat e Shërbimit Unik ndaj qytetarëve, më së pari krijojnë mundësinë për të grupuar të gjitha shërbimet që jep Policia e Shtetit në një pikë kontakti të vetme, duke shmangur kështu praktikat korruptive, ose çdo tendencë që mund t’i afrohet”, u shpreh ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Për kryeministrin Edi Rama, nisma shmang dhe afatet e gjata të pritjes nga qytetarët, kur tha se shërbimet do jenë të përcaktuara mirë në këtë drejtim, nga 3 ditë për çertifikatat, në 60 ditë maksimumi për licencat.

Në rast të shmangies nga këto detyrime, qytetarëve iu është vënë në dispozicion një tjetër mekanizëm, kutia e shërbimeve online.

“Kutia e shërbimeve online në faqen e kryeministrit dhe në faqen zyrtare të çdo ministri do të jetë as më shumë e as më pak, por mundësia që çdo qytetar i këtij vendi të ankohet drejtpërdrejtë për vonesat në marrjen e shërbimit. Ne e dimë shumë mirë se korrupsioni ka dhjetra e qindra pamje, por dimë shumë mirë po ashtu se pamja e tij e fshehtë qëndron pas vonesave në marrjen e shërbimit”, deklaroi kryeministri Rama.

Por, si do të funksionojë kjo, në ndihmë të qytetarit?

“Çdo qytetar dhe qytetare do të ftohet apo është i/e ftuar që t’i bëjë me dije drejtpërdrejtë ministrit përgjegjës, apo kryeministrit të vendit, vonesën me të cilën është duke u përballur. Dhe, së bashku me kryeministrin apo me ministrin përkatës, të jenë aleatë për t’i shkuar problemit deri në fund”, shpjegoi kreu i qeverisë Rama.

Kreu i qeverisë, duke folur gjatë për ndryshimin e funksionimit të sistemit gjatë qeverisjes së tij, për ta shkëputur – siç tha – njëherë e mirë nga kanceri i korrupsionit, e mbylli me angazhimin më të madh të kohëve të fundit.

“Për ta ndarë Shqipërinë nga hajdutët dhe hajdutëria cmendurake e energjisë elektrike. Është një vend, si askush tjetër në Europë, që vjedh veten e vetë, ditë e natë, për turpin e të gjithëve ne kur ngremë këtu në Vlorë flamurin e Pavarësisë e të sakrificave të patriotëve dhe rilindasve tanë. Ne jemi këtu për ta respektuar këtë amanet”, përfundoi kryeministri Rama.

Top Channel