Austri, arrestohen 13 rekrutues xhihadistësh

28/11/2014 00:00

Policia në Austri ka arrestuar 13 persona të dyshuar për radikalizimin e të rinjve dhe për rekrutimin e tyre për të luftuar në Siri.

Autoritetet lokale deklarojnë se 500 agjentë policie u angazhuan në një seri bastisjesh nëpër xhami, apartamente dhe dhoma lutjesh në qytetet Vjenë, Linz dhe Graz. Autoritetet sekuestruan gjithashtu material propagandistik terrorist.

Operacioni vjen në një kohë kur në mbarë Evropën janë ndërmarrë operacione kundër luftëtarëve që janë përfshirë në konfliktet në Siri dhe Irak.

Në një deklaratë të zyrës së prokurorit austraik thuhet se 16 persona janë marrë në pyetje pas kontrolleve, në orët e para të së premtes.

Të 13 personat janë arrestuar nën dyshimin se i përkasin një organizate terroriste. Mediat lokale thanë se një predikues boshnjak, që ishte dhe i dyshuari kryesor, është mes personave që u janë vënë pranga.

Bashkë me materialet propagandistike, oficerët sekuestruan prova elektronike, para të thata dhe doreza hekuri.

Në muajt e fundit autoritetet austriake kanë deklaruar se po hetojnë mbi 150 persona që mendohet t’u jenë bashkuar grupeve radikale në Irak dhe Siri.

Qindra myslimanë evropianë kanë udhëtuar në Siri për t’u bashkuar me grupe xhihadiste si Shteti Islamik, duke u përfshirë në luftën civile të vendit.

Top Channel