Tradita kosovare, dasmë pa flamur nuk bëhet

28/11/2014 00:00

Flamuri kuqezi në mort e gëzim nuk mungon asnjëherë në familjet shqiptare në Kosovë. Kjo traditë vazhdon edhe sot kur Kosova ka simbolet e veta shtetërore.

Në Kosovë ekziston një shprehje: “Dasmë pa flamur nuk bëhet”, e cila mjafton për të vërtetuar faktin se flamujt në shtëpitë e shqiptarëve nuk ngrihen vetëm për festa, por sa herë që i zoti i shtëpisë ka gëzim.

Etnologu Bashkim Lajçi shpjegon se gjatë ritit të dasmës, mesazhi kryesor dhe simbolika që përcjell flamuri është bashkimi.

“Flamuri në dasma përpos elementeve të tjera, sepse ka edhe elemente që i janë vendosur si për shembull molla që simbolizon çiftin e ri, përfaqëson bashkimin në kuptimin e rezistencës dhe kuptime të tjera. Që do të thotë një unitet i përbashkët. Ky ka qenë elementi parësor i vendosjes së flamurit dhe i përdorimit të tij në dasma”, tregon Lajçi.

Tradita e do që dasmorët edhe sot në çdo dasmë, sado moderne, të mos nisen kurrë për të marrë nusen pa personin që mban flamurin. Dhe ky person, i njohur ndryshe si bajraktari, zgjidhet mbi disa karakteristika: i fortë dhe i ri. Pra, dikush që simbolikisht është i aftë ta mbrojë flamurin.

“Bajraktari ka rëndësinë e vetë, sikurse i zoti i dasmës. Bajraktari gjithmonë ka prirë. Do të thotë se e ka pasur flamurin dhe është munduar si në beteja e si në dasma të jetë një njeri që nuk dorëzohet, që nuk e lëshon flamurin dhe që është konsistent e rezistent ndaj çfarëdo sfide që mund të përballet”, sqaron Lajçi.

Gjatë regjimit serb, tradita nuk është ndërprerë. Edhe në kohën e shtypjes më të egër, flamuri është mbajtur fshehurazi, por ka ndodhur që bajraktari i një dasme jo pak herë të jetë keqtrajtuar nga forcat serbe.

Në kohën kur dasmorët qëndrojnë në shtëpinë e nuses, zhvillohen edhe lojëra të ndryshme popullore si lloj provokimi për bajraktarin që ta dorëzojë flamurin.

Përveç Kosovës, një fenomen i tillë sipas etnologëve vazhdon kudo në trojet shqiptare të cilat kanë mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë. Pas shpalljes së pavarësisë në Kosovë, përveç flamurit kombëtar është kthyer në traditë edhe vendosja e flamurit shtetëror të Kosovës.

Por, sipas etnologut Lajçi, prezenca e flamurit kombëtar në dasma ka rëndësi të veçantë, të pakrahasuar me atë shtetëror për shkak të historisë, simbolikës e motivit dhe si i tillë bën të pamundur që tradita të ndryshojë.

Top Channel