Ahmetaj: “Blej shqip”, sipërmarrje ndërgjegjësuese

28/11/2014 00:00

Panairi “Blej Shqip” solli në Prishtinë ministrin e  zhvillimit ekonomik të Republikës së Shqipërisë Arben Ahmetaj.

Ministri Ahmetaj, tha se një panair i tillë është një sipërmarrje ndërgjegjësuese, për t’i treguar shqiptarëve që ne dijmë të prodhojmë mirë, të prodhojmë për vete dhe dijmë të prodhojmë edhe për eksportin.

Ahmetaj tha se ende nuk është bërë mjaftueshem për integrimin e dy tregjeve, tregut shqiptar dhe atij kosovar.

“Në janar do të ndërmarrim  një iniciativë të detajuar për cdo pengesë dhe për cdo mundësi që dy tregjet tona kanë për t’i adresuar dhe promovuar, pra për t‘i fshirë problemet që kemi në tregti në shkëmbimet tregtare dhe për të promovuar ato mundësi të përbashkëta për ta quar nivelin e shkëmbimeve tregtare pse jo mbi 500 milionë për të tërhequr sa më shumë produkte shqiptare të të dyja trevave”, tha Ahmetaj.

Ministrin Arben Ahmetaj, e priti kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, i cili tha se promovimi i prodhimeve vendore, nuk është çështje emocionale, por është koncept i zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës.

 “Shkëmbimet tregtare të cilat i ka Republika e Kosovës me Republikën e Shqipërisë, me të vërtetë janë minimale në krahasim me atë se  cili është potenciali i shqiptarëve që të prodhojnë, që të bëjnë shkëmbime ndërmjet vete dhe ta zëvendësojmë një numër shumë të madhe parash importesh të cilat i ka edhe Kosova edhe Shqipëria, krejt me qëllimin e fuqizimit ekonomik të kombit shqiptar”, tha Ahmeti.

Ministri Ahmetaj, pas konferencës vizitoi panairin “Blej Shqip” dhe u takua me prodhuesit shqiptar nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia.

Panairin “Blej Shqip” gjatë ditës e ka vizituar edhe lideri i lëvisjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili tha se kombi përvec të tjerash, është edhe ekonomi.

“Përveç se gjuhë dhe flamur, përveç se kulturë dhe histori, kombi është edhe ekonomi. Ndërkaq ekonomia kombëtare dihet që para se gjithash dhe mbi të gjitha, është prodhim”, tha Kurti.

Panairi “Blej Shqip”, për 2 ditë është vizituar nga një numër i madh qytetarësh.

Top Channel