PE, rezolutë kundër Serbisë për deklaratat luftënxitëse të Sheshelit

28/11/2014 00:00

Parlamenti Europian votoi në shumicë dërrmuese rezolutën ndaj Serbisë,
ku dënohet gjuha e urrejtjes dhe e luftënxitjes që përdori me t’u kthyer
në Beograd, Presidenti i Partisë Radikale, Vojislav Sheshel, i liruar
për motive shëndetësore nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, ndërsa vijon
gjykimi ndaj tij për vrasje, trajtim çnjerëzor e krime lufte.

“Ne ftojmë Hagën që të rishqyrtojë motivet për lirimin e tij në mënyrë që të rikthehet besimi. Ne dënojmë gjithashtu fjalët e Sheshel në ditën përkujtimore të viktimave të Vukovarit sepse kjo krijoi frikë në radhët e viktimave, sikundër dhe druajtjen në Vojvodinë për raprezale të reja. Kjo rezolutë është mesazh i qartë për autoritetet serbe që nuk janë përgjigjur siç duhet politikisht apo ligjërisht për të treguar, siç u kemi kërkuar, nëse Sheshel ka shkelur apo jo ligjin serb pêr mbrojtjen e të drejtave për minoritetet. Kjo do të thotë se Serbia do ishte e gatshme të pranonte vlerat europiane duke dënuar Sheshel, dhe duhet ta dënojë atë. Ku qëndron problemi President Nikoliç, Kryeministër Vuçiç, zëvendëskryeministër Daçiç? Pse heshtni? A keni frikë nga Sheshel? Nëse ju vijoni të heshtni, ne do të pyesim veten se ç’mendoni për gjithçka. Ju duhet të veproni.”, tha Andrej Plenkoviç, eurodeputet kroat.

Menjëherë, Beogradi e konsideroi “fyerje” rezolutën e PE-së dhe kryeministri Vuçiç falenderoi posaçërisht eurodeputeten sllovene Tanja Fajon për përpjekjet e saj për të bindur dhe kolegët e tjerë.

Megjithëse jo e pranishme në sallën plenare gjatë debatit, ndjekësraportuesja për Serbinë në grupimin e majtë shpërndau një komunikatë për shtyp, në serbisht, ku thekson rëndësinë e fqinjësisë së mirë të Beogradit me të gjitha shtetet e rajonit, përfshirë Maqedoninë, por pa përmendur Kosovën, megjithëse pavarësia e saj njihet si nga Parlamenti Europian dhe nga Sllovenia.

“Si raportuese për grupin tim, S&D, mendoj se Serbia është në rrugë të mirë kur është në pyetje integrimi në BE. Unë do të vazhdoj të angazhohem për të mbështetur Serbinë që të arrijë sa më shpejt progres në reforma, sikundër dhe të ketë raporte të mira më tej me shtetet fqinje, sidomos me Shqipërinë, Bosnje- Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe Maqedoninë.”, u shpreh Fajon.

 “Është për të ardhur keq që deklaratave radikale të Sheshel iu është dhënë një vëmendje e tillë e panevojshme nga mediat dhe disa politikanë. Shpresoj vetëm se nuk do të përdoret si një instrument për tensione të mëtejshme politike në rajon. Si përfundim, kjo rezolutë nuk ka për qëllim të jap instruksione ndaj Gjykatës ndërkombëtare. Është një organ i pavarur ndërkombëtar me mandat të qartë nga Kombet e Bashkuara. Për këtë arsye unë hezitoj të mbështes këtë rezolutë”, thotë Eduard Kukan, Kryetar i Delegacionit për Serbinë në PE.

Pavarësisht abstenimit të Kukan, dhe kundërshtimit të Fajon e disa eurodeputetëve grekë e bullgarë, rezoluta u miratua pasi kishte siguruar në parim mbështetjen e 3 grupeve kryesore politike të legjislativit europian, falë angazhimit njëjavor të të zgjedhurëve të Kroacisë në Parlamentin Europian, jo vetëm mes forcave të ndryshme politike, por dhe me eurodeputetët e shteteve kryesore të BE-së.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel