Serie A, derbi për Juven, Interi për Romën

28/11/2014 00:00

Juventus synon të vazhdojë me dominimin ndaj rivalëve të qytetit, Torinos, kur këtë të diel të zhvillojnë derbin e radhës mes tyre.

Juve, që fitoi 2-0 ndaj Malmos në mesjavë për Champions League, shkon në këtë sfidë me 3 pikë avantazh ndaj Romës, në renditjen e Serie A, teksa ka siguruar 15 pikë nga po kaq të mundshme nga ndeshjet e zhvilluara në fushën e saj.

Torino nuk i ka mposhtur rivalët e qytetit në kampionat që prej sezonit 1994-’95, ndërsa kanë 12 vjet që nuk kanë mundur t’u shënojnë dot të paktën edhe 1 gol.

“Juventus luan gjithmonë për fitore”, është shprehur presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli për “Gazzetta dello Sport”. “Gjithashtu, Torino nuk ka fituar një derbi të tillë prej më shumë se 15 vitesh”.

Torino, që barazoi 0-0 ndaj Club Brugge në ndeshjen e së enjtes, në Europa League, nuk ka mundur të gjejë rrugën e golit në 4 prej 5 ndeshjeve të fundit, në të gjitha kompeticionet.

Klubi ende nuk e ka marrë veten nga shitja e dyshes së sulmit, Ciro Immobile dhe Alessio Cerci, respektivisht te Borussia Dortmund dhe Atletico Madrid. “Granatat” janë në vendin e 15, me vetëm 3 fitore në 12 ndeshje të luajtura.

* Në ndeshjet e tjera, Interi do të udhëtojë drejt “Olimpico”-s për t’u përballur me Romën ditën e diel, me synimin për t’i dhënë fund rekordit të ndeshjeve perfekte të verdhekuqve.

Roma vjen nga barazimi 1-1 me CSKA-në e Moskës, të martën, ndërsa ka fituar të gjashta ndeshjet e zhvilluara në kryeqytet këtë sezon. Ata do të përballen me një Inter disi të ndryshuar me ardhjen e Roberto Mancinit në vend të Mazzarrit në pankinë.

Interi barazoi 1-1 me Milanin, përpara se të përmbyste rezultatin ndaj Dnipros, 2-1, duke siguruar kalimin në fazën tjetër të Europa League.

Një barazim pa gola ndaj Sparta Pragës ishte i mjaftueshëm për Napolin – në vendin e tretë në Serie A – t’i bashkohej Interit në fazën e ardhshme të Europa League. Napoli do të përballet me një test të vështirë në Xhenova, të hënën, pasi Sampdoria rezulton e pamposhtur në stadiumin “Luigi Ferraris”.

Kapiteni i Milanit dhe lojtari i përfaqësueses së Italisë, Riccardo Montolivo, duket shumë pranë riaftësimit dhe rikthimit në fushat e blerta, pas atij dëmtimi të rëndë në “tibia” 6 muaj më parë, në një miqësore përpara Botërorit të Brazilit. Ai mund të luajë në ndeshjen e së dielës, ndaj Udineses, teksa Milan nuk ka mundur të fitojë që prej 19 tetorit.

Sfida të tjera janë Genoa-Cesena, Lazio-Chievo, Cagliari-Fiorentina, Empoli-Atalanta, Sassuolo-Verona dhe Palermo-Parma.

Top Channel