United, gati një “çmenduri” për Ancelottin

28/11/2014 00:00

Carlo Ancelotti ndihet mirë te Real Madrid dhe e ka shprehur disa herë nëpër deklarata se dëshiron të rinovojë me klubin madrilen, edhe pse deri më tani nuk ka marrë ndonjë ofertë zyrtare.

Megjithatë, një të tillë, madje një ofertë shokuese mund të themi, vjen për teknikun italian nga Anglia, me destinacion “Old Trafford”-in. Klubi i Manchester United – siç shkruan “Mundo Deportivo” – duket se është gati t’i ofrojë Carletos një kontratë prej 300 mijë eurosh në javë (16 milionë euro në sezon), për ta rrëmbyer nga “Los Blancos” sezonin e ardhshëm, pavarësisht se Ancelotti ka hyrë në tratativa për rinovimin.

Në fakt, tratativat mes ish-trajnerit të Milanit e PSG-së dhe Florentino Perezit për të rinovuar kontratën, e cila skadon më 30 qershor të vitit 2016, janë ende në fazën e reflektimeve, ndaj dhe United ka nxituar të përfshihet në këtë mes, duke parë sezonin e radhës të dështuar në Premier League.

Ancelotti, nëse shkon në Manchester, do të bënte një rikthim në Angli, pas 2 sezoneve të kaluar nën drejtimin e Chelseat, nga 2009-2011, me të cilët ka fituar një titull kampion dhe një Kupë FA.

Të martën, pas përfundimit të ndeshjes me Bazelin, i pyetur në lidhje me të ardhmen e tij, Ancelotti është shprehur se “nuk ka asnjë njoftim për rinovimin, por s’keni përse nxitoheni”.

Top Channel