Gjermania vlerëson kontributin e emigrantëve

28/11/2014 00:00

Britania mund të ankohet nga emigrantët, por jo Gjermania. Një studim i ri i Fondacionit “Bertelsmann” tregon se sistemi social i ekonomisë më të fuqishme të Europës ka pësuar rritje financiare për shkak të emigrantëve.

“Deutsche Welle” thotë se 6.6 milionë njerëz pa pasaportë gjermane kontribuan me 22 miliardë euro në sistemin social gjerman, përgjatë vitit 2012. Raporti hedh poshtë pretendimet se të ardhurit janë një barrë për Gjermaninë.

Një sondazh i kryer nga vetë Fondacioni në fjalë dëshmon se një gjë të tillë e mendojnë jo pak, por dy të tretat e gjermanëve. Megjithatë, nga përfundimet e studimit, ky supozim rezulton i pavërtetë, ndërsa hartuesit e raportit kanë llogaritur gjithashtu se të huajt paguajnë mesatarisht 3000 euro më shumë në taksa dhe kontribute sociale, në krahasim me atë që marrin në formën e përfitimeve.

Studimi mund të lexohet edhe ndryshe. Numri i emigrantëve të papunë është tre herë më i lartë se i gjermanëve. Prandaj nevojitet më tepër punë në edukimin e brezit të dytë të emigrantëve. 40% e fëmijëve të emigrantëve marrin edukim më të lartë se prindërit e tyre, ndërkohë që 60 përqindëshi tjetër jo.

Nëse brezat e rinj të emigrantëve do të ishin integruar më mirë në tregun e punës, kontributi i tyre do të ishte katër herë më i madh.

Top Channel