SHBA, festime brenda kornizave tradicionale

28/11/2014 00:00

Dreka familjare, mësymje e qendrave tregtare, kafe me miqtë, “Dita e falënderimeve” në Shtetet e Bashkuara nuk doli jashtë kornizave të tradicionales.

Kjo ditë kremtohet çdo vit të enjten e fundit të nëntorit. Në prag të festës, Presidenti Barack Obama dhe familja e tij vizituan një qendër të Uashingtonit, që siguron ushqime, veshje dhe shërbime të tjera falas për të varfërit, ndërsa nuk mungoi dhe ceremonia e përhershme e faljes së gjelit.

Kjo festë e veçantë amerikane, fillesat e saj i ka në periudhën e hershme të kolonive britanike. Një nga mënyrat se si amerikanët e kremtojne është nëpërmjet paradave, siç ishte ajo e organizuar nga komuniteti i “Silver Sping”, në rrethinat e Uashington DC, i cili u përpoq të dëshmonte në këtë mënyrë diversitetin e tij.

Parada ishte një mundësi për të treguar aftësitë e bandave muzikore të shkollave, atletëve dhe akrobatëve. Të tilla evente organizohen në mbarë vendin, por me veçoritë e zonave përkatëse.

“Dita e falënderimeve” shënon edhe fillimin e stinës së festave në SHBA. Është një ditë me rrënjë të thella në traditën amerikane, gjatë së cilës lihet mënjanë politika dhe festohet për shpirtin e vërtetë amerikan: mirënjohjen për bekimet e marra.

Top Channel