Luftanije ruse në ngushticën e La Manshit

28/11/2014 00:00

Një grup luftanijesh ruse kanë hyrë në ujërat e kanalit ndarës mes Britanisë dhe Francës, por një zyrtar i NATO-s hodhi poshtë raportimet në mediat ruse se ato shkuan atje për të zhvilluar stërvitje ushtarake.

Agjencia ruse e lajmeve “RIA Novosti” citoi burime nga Flota Veriore të thonin se anijet e tyre, të udhëhequra nga anija antinëndetëse “Severomorsk”, kanë kaluar përmes ngushticës së Doverit dhe ndodheshin tashmë në ujëra ndërkombëtarë, në gjirin Seine, në pritje për të pushuar një stuhi detare.

“Ndërsa janë të ankoruara, ekuipazhet janë duke zhvilluar një seri stërvitjesh, se si të përballen me infiltrimin e nëndetëseve të forcave të huaja, si dhe po stërviten me teknika mbijetese, në rast të një përmbytjeje apo rënie zjarri”, është cituar Flota Veriore të ketë thënë në një deklaratë sipas “RIA”-s.

Marina ruse nuk ka dhënë asnjë koment mbi këto të dhëna, ndërsa Ministria ruse e Mbrojtjes ka refuzuar të flasë mbi raportimin në fjalë.

Marina e Francës konfirmoi vendndodhjen e anijeve dhe tha se nuk është diçka e pazakontë të kalojnë anije luftarake ruse në kanalin mes Francës dhe Anglisë.

“Ato nuk po zhvillojnë stërvitje. Thjesht po presin në një zonë, në të cilën ato mund të vijnë disa herë gjatë një viti”, tha një burim i shërbimit informativ të Marinës franceze.

Ndërkohë, Kolonel Jay Janzen, zëdhënës ushtarak i NATO-s, tha se aleanca ishte në dijeni të vendndodhjes së anijeve ruse.

“Informacionet tona tregojnë se anijet janë thjesht në tranzit dhe largimi i tyre është vonuar për shkak të kushteve klimatike. Ato nuk po zhvillojnë stërvitje në kanal, siç thonë disa prej mediave ruse, apo siç do të donin që ne të besonim”, tha ai.

Rusia ka përshkallëzuar shfaqjen e forcës së fundi, teksa aleanca ushtarake e NATO-s ka raportuar për më shumë inkursione të avionëve luftarakë rusë dhe bombarduesve me rreze veprimi të gjatë.

Manovrat ruse kanë nisur pas tensioneve disamujore në lidhje me Ukrainën, ku Moska ka arritur të aneksojë gadishullin e Krimesë dhe ka mbështetur separatistët e armatosur të kundërshtojnë qeverinë e Kievit.

Top Channel