“Ofrojuni stimuj financiarë, që të largohen”

28/11/2014 00:00

Ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Lieberman, propozoi të premten që qytetarëve arabë të Izraelit t’u ofrohen stimuj financiarë për t’u larguar nga vendi e për t’u strehuar në atë që në të ardhmen do të jetë shteti i Palestinës.

Lieberman, partia ultranacionaliste e të cilit është pjesë thelbësore e koalicionit qeverisës të kryeministrit Benjamin Netanyahu, ka folur në të kaluarën edhe për rishikimin e kufijve, por jo për të përdorur lëshime të tilla, për inkurajimin e çrrënjosjes së arabëve drejt shtetit palestinez.

Propozimi i tij është bërë në formë manifesti, e është prezantuar me pritshmëritë gjithnjë në rritje se Izraeli do të duhet të zhvillojë zgjedhje të parakohshme në muajt e ardhshëm, për shkak të përçarjes së koalicionit të Netanyahut. Normalisht, zgjedhjet priten të zhvillohen në vitin 2017.

Lieberman, një prej zërave më të kumbueshëm në favor të ndarjes së hebrejve dhe arabëve, tha se palestinezët që jetojnë në Jaffa dhe Acre, dy qytete të përziera në bregdetin e Mesdheut e shumë larg Bregut Perëndimor, duhen inkurajuar të lëvizin nëse ata do të dëshirojnë.

“Ata (arabët izraelitë) të cilët do të vendosin që identiteti i tyre të jetë palestinez, duhet ta humbasin shtetësinë izraelite dhe të lëvizin për në shtetin palestinez të së ardhmes, për t’u bërë qytetarë të tillë”, shkruan ai në manifestin e titulluar “Të notosh kundër rrymës”, e të publikuar në faqen zyrtare të tij në Facebook, por edhe në faqen e internetit të partisë së tij.

“Izraeli vetëm sa duhet t’i inkurajojë ata ta bëjnë diçka të tillë, përmes stimujve ekonomikë”, tha ai.

Lieberman u ka bërë thirrje më parë arabëve izraelitë, të cilët përbëjnë 20 përqind të popullsisë prej 8 milionë banorësh të Izraelit, të betohen për besueshmëri nëse duan të qëndrojnë në Izrael, një veprim që u denoncua nga Netanyahu në atë kohë.

Top Channel