Kryeministri i Kroacisë njoftoi të premten se ka anuluar një udhëtim të planifikuar për në Serbi, muajin e ardhshëm, për shkak se Beogradi nuk e ka distancuar ende veten nga komentet e bëra prej ultranacionalistit serb të liruar së fundi nga Haga, Vojislav Sheshel, i cili akuzohet për krime lufte.

Anulimi i vizitës nga Zoran Milanovic nxjerr në pah një ftohtësi të re sa i përket marrëdhënieve mes ish-armiqve të Ballkanit, edhe pse Serbia ka nisur procesin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian, unionin ku Kroacia u anëtarësua vitin e kaluar.

Tribunali i Kombeve të Bashkuara, me seli në Hagë, liroi Vojislav Sheshel për shkaqe shëndetësore, përpara se të arrijë në një verdikt përfundimtar për krimet e kryera prej tij në Kroaci dhe Bosnje gjatë shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë. Sheshel, i cili thuhet se vuan nga kanceri, ka qenë i arrestuar për afro 12 vjet.

Pas rikthimit të tij në Serbi, më 12 nëntor, Sheshel u lavdërua si hero në një miting prej 5 mijë mbështetësish. Ai tha se ende beson në ideologjinë e “Serbisë së Madhe”, gjë që nxiti edhe luftrat në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë dy dekada më parë.

“Do të kisha shkuar në Beograd, po të mos kishin ndodhur shfaqjet e fundit”, tha Milanovic, duke iu referuar takimit të liderëve të Europës Qendrore dhe Lindore me Kinën, të programuar më 16 dhjetor. Duke iu drejtuar autoriteteve serbe, Milanovic shtoi:

“Ajo që po kërkoj është që ju të thoni tekstualisht se ‘komentet e Sheshelit nuk janë pozitive, ai është një djall dhe ne e distancojmë veten nga ato deklarata’. Për disa arsye, kjo qeveri nuk e thotë dot këtë gjë, ndaj dhe në këto rrethana do të ishte qesharake për mua që të shkoja në atë takim”.

Kroacia luftoi ndaj minoritetit të vet serb, të mbështetur nga Beogradi, përfshi edhe milicinë e Sheshelit, nga viti 1991 deri në 1995. Presidenti serb, Tomislav Nikolic, dhe kryeministri, Aleksandar Vucic, ishin të dy anëtarë të Partisë Radikale të Sheshelit. Ata u ndanë në vitin 2008, 5 vjet pasi Sheshel iu dorëzua Hagës, si dhe kanë përqafuar kauzën e bashkimit me BE-në.

Por, nga ana tjetër, Vucic e ka zbehur në njëfarë mënyre rëndësinë e komenteve të Sheshelit. “Nuk ka asgjë në Serbinë e sotme, që lidh këtë qeveri me Vojislav Sheshel, për të cilin as nuk dua të flas fare”, tha Vucic të enjten.

Top Channel