28 nëntori edhe këtë vit u kremtua nga Presidenti i Republikës me një ceremoni në Pallatin e Brigadave, ku kryetari i shtetit shfrytëzoi të drejtën e dhënies së dekoratave një sërë personaliteteve.

Lista e emrave kryesohet nga Isa Boletini, patrioti i madh i kohës së pavarësisë, i cili u nderua nga kryetari i shtetit me titullin e lartë, atë të “Flamurit Kombëtar”.

Por, ajo që bie në sy në listën prej 14 emrash që morën dekorata nga Presidenti është Xhonatan Mur, ish-zyrtari i DASH-it, aktualisht ambasador i OSBE-së në Bosnje, i cili mësohet se mbërriti në Tiranë pa axhendë zyrtare. Xhonatan Mur, për rreth një vit ishte drejtor për Europën Juglindore në DASH, i njohur për deklaratat paksa kontroversive dhe afërsinë me Partinë Demokratike dhe ish-kreun e saj, u nderua nga Bujar Nishani me dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.

“Kam kënaqësinë që në emër të të gjithë shqiptarëve, t’i adresoj një mirënjohje të veçantë zotit Xhonatan Mur  për kontributin e veçantë në forcimin e miqësisë midis Shqipërisë dhe SHBA-së dhe ndihmesën e çmuar të dhënë në forcimin e demokracisë dhe institucioneve të pavarura në Shqipëri”, tha Presidenti i Republikës.

“Jam mirënjohës që jam me popullin shqiptar me rastin e 28 nëntorit. Është një nder i jashtëzakonshëm”, tha Mur.

Gjatë katër viteve të fundit, postin e Mur e kanë mbajtur me radhë edhe Xhonatan Kantrimen dhe Filip Riker, personazhe që kanë patur më shumë impakt në marrëdhëniet zyrtare SHBA-Shqipëri.

Ndërkohë që dekorimi i Mur duket edhe si një goditje ndaj ambasadorit në largim Aleksander Arvizu, duke injoruar rolin e tij 4-vjeçar në Shqipëri dhe duke vlerësuar pozicionin disamujor të Murit.

Ja lista e dekorimeve:

Titulli i “Flamurit Kombëtar” – Isa Boletini

Titulli “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” – Matteo Mandala, Mark Krasniqi, Idriz Ajeti dhe Ali Aliu
 
Titulli “Nderi i Kombit” – Jonathan Moore, Ymer Dishnica, Hysni Lepenica, Safet Butka, Medar Shtylla, Abaz Kupi dhe Mustafa Gjinishi

“Dekorata e Artë e Shqiponjës” – Mujo Ulqinaku dhe Qemal Stafa

Top Channel