Inaugurohet sheshi i ri i Selenicës

28/11/2014 00:00

Selenica është e para Bashki, me qendrën e saj të rikonstruktuar nga një fond me vlerë 69 milionë lekë, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, pas nisjes së projektit “Rilindija e qyteve”.

“Do të vihemi në lëvizje për projektin që lidh qendrën me hyrjen tjetër, në mënyrë që edhe rruga hyrëse të jetë siç është qendra. Më tej do të na duhet të bëjmë edhe rrugën që lidh Selenicën me Vlorën, sepse është një rrugë që ju jeni të detyruar ta bëni shpesh, por mjafton ta bësh vetëm një herë për të dyshuar se mos ke shkallmuar ndonjë veshkë”, u shpreh kryeministri Rama.

Në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve, kryeministri Edi Rama foli edhe për operacionin kombëtar kundër vjedhjes së energjisë elektrike.

“Sa më shpejt ta nxjerrim Shqipërinë dhe ekonominë tonë nga gropa e madhe e borxheve të pafundme, që janë bërë litar në qafën e popullit tonë për shkak të shpërdorimit masiv me energjinë, aq më shpejt do të jemi në gjendje të kemi në dispozicion shumë më tepër fonde për t’i investuar për infrastrukturën, për shkollat, për spitalet dhe për shërbimet e tjera”, deklaroi kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama.

“Na duhet që t’i rimëkëmbim të gjitha hallkat e sistemit dhe të rimëkëmbim të gjithë rrjetin e shpërndarjes së energjisë. Po si bëhet kjo? Me çfarë parash bëhet kjo, në qoftë se nga ana tjetër njerëzit refuzojnë të paguajnë, apo më keq akoma vjedhin energjinë? Ne do të investojmë vitin e ardhshëm në sistem 200 milionë dollarë. Por përsëri nuk mjafton, në rast se do të lejomë që energjia të vazhdojë të vidhet. Nuk ka vend në Evropë, një shtet që vjedh veten e vet, siç e kemi vjedhur ne vetveten 20 vjet duke vjedhur energjinë”, shtoi Rama.

Dhe në fund, një falënderim i posaçëm nga kryeministri për të moshuarit e Selenicës.

“Ka një jetë të tërë, që presin të shohin një ditë të bardhë dhe nuk kanë kohë për të pritur shumë, si puna e atyre djemve 20-vjeçarë, që rrinë e vendosin ato lekë që marrin nga prindërit nëpër baste, dhe presin nuk e di çfarë presin, e bëri apo s’e bëri golin Cristiano Ronaldo. Megjithatë, edhe ata nuk kanë faj, sepse iua bëri lala Gjoni jetën të lehtë shumë dhe nuk i dha asnjëherë mundësinë të kuptojnë se jeta është malore, nuk është as fushore dhe as e përjetë që rrëshqet vetë”, përfundoi Rama.

Top Channel