Eksperti i ekonomisë, zoti Ardian Civici ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, ku foli në lidhje me çmimin ndërkombëtar të naftës, i cili ka shënuar një rënie drastike.

Zoti Civici evidentoi dy faktorë kryesorë që kanë ndikuar në këtë rënie rekord të çmimit të naftës: Rritja e ndjeshme e prodhimit nga vendet jashtë OPEC-ut, si edhe ulja e kërkesës nga disa vende të mëdha si pasojë e krizës globale.

Pandi Gjata: Zoti Civici, si e shpjegoni këtë mbingopje të tregut me naftë?

Ardian Civici: Ajo që po ndodh me çmimin e nafta është bërë lajmi i ditës në ekonomi. Naftës është nga të paktit ose i vetmi produkt që mund të çorientojë ose riorientoi krejtësisht tregjet e botës dhe shumë çmime të tjera që varen nga përdorimi i naftës. U bënë disa javë që çmimi është në rënie dhe nga një çmim mesatar që ishte para disa javësh, rreth 118, 120 dollarë për fuçi mendohet që së shpejti të shkojë në 60 dollarë, pra një rënie me 50%. Ajo që po ndodh është një prishje e raportit midis kërkesës dhe ofertës. Oferta botërore në tregjet e naftës është shumë më e madhe se kërkesa dhe kjo vjen për dy arsye. Së pari, oferta është e madhe sepse vendet jashtë OPEC-ut kanë arritur të prodhojnë rreth 60% të nevojave botërore me naftë. Tashmë nuk ka më një organ, siç ishte OPEC-ku, i cili kontrollonte raportin e sasisë që ofronte në treg dhe çmimin në tregjet ndërkombëtare. Nga ana tjetër, akoma kriza globale vazhdon të japë efektet e saja, sidomos në vendet e mëdha, ku përfshihet Kina, Brazili, India apo Afrika e Jugut. Nga një rritje ekonomike 7 deri në 10%, tashmë rritja ekonomike në këto vende ka shkuar deri në 6%, kjo nënkupton një kërkesë të reduktuar për naftë. Gjithashtu, SHBA-ja ka futur në përdorim fusha të tjera naftëmbajtëse dhe sot SHBA-ja arrin të prodhojë 10 milionë fuçi në ditë, po aq sa edhe Arabia Saudite.

Pandi Gjata: Qëndrimi i SHBA, a është dhe një lloj sfide ndaj vendeve arabe me qëllime politike, sidomos në luftën ndaj terrorizimit?

Ardian Civici: Nuk është hera e parë që Amerika e përdor armën ekonomike si element të luftës politike në shumë konflikte që ka në botë. Ka edhe një efekt tjetër, pasi futja e një sasie kaq të madhe të naftës, ndikon në ekonominë e vendeve që e kanë përqendruar ekonominë e tyre në prodhimin e naftës. Nuk është rastësi, pasi bëhet fjalë për vende si Irani, Venezuela, Kolumbia dhe Rusia. Kuptohet që duke rënë çmimi i naftës këto vende do të bien në kolaps ekonomik dhe do të dobësohen, duke lehtësuar marrëveshjet. Tashmë sinjalet janë dhënë, rubla ruse është në nivelin më të ulët të saj, eksportet ruse po humbin miliarda euro nga rënia e çmimit të naftës. Nuk përjashtohet mundësia që edhe gjeopolitika e naftës të luajë atë rol që ka luajtur në dy apo tre krizat e naftës në vitet ’70.

Pandi Gjata: Me kë nga këto kriza mund ta krahasojmë dhe çfarë pasojash kishin?

Ardian Civici: Akoma situata nuk ka arritur në ato nivele, por simptomat janë që të jetë diçka e ngjashme me krizën e naftës të viteve 71, 72 dhe 78, ku në fakt ndodhën shumë tronditje dhe ndryshime në ekonomi dhe në financat botërore. Ato vënde që e kishin mbështetur ekonominë e tyre mbi eksportet e naftës dhe çmimin e rritur të naftës, u bënë vendet më të mëdha që morën borxh.

Pandi Gjata: Çfarë parashikimesh ka? Si mund të evokojë kjo çështje dhe deri ku mund të shkojnë parashikimet e ekspertëve ndërkombëtarë?

Ardian Civici: Nga analizat e fundit kjo situatë do të vazhdojë edhe disa muaj sepse nuk është thjesht dëshirë e disa shteteve për të prodhuar më shumë ose për të ulur blerjet, por është një efekt strukturor që ka të bëjë me procesin e krizës dhe të daljes nga kriza. Nga ana tjetër edhe BE-ja është e shqetësuar sepse Europa po kalon një fazë inflacioni shumë të ulët, me një risk të lartë për të kaluar në deflacion, ulja e çmimit të naftës mund të ndikojë akoma më shumë. Duke pasur parasysh atë që quhet “sëmundja japoneze”, të cilët në fillim të viteve ’90 patën një situatë deflacioniste dhe kanë gati 20 vjet që nuk po dalin nga ajo situatë edhe Europa i trembet shumë një situate ekonomike të tillë.

Pandi Gjata:  Kjo ishte dinamika e asaj që ndodh jashtë kufijve të Shqipërisë. Si e shpjegoni faktin se e gjithë kjo ulje e çmimit të naftës në botë nuk ka reflektuar në tregun shqiptar? Këtu nuk ka ndryshuar asgjë…

Ardian Civici: Në Shqipëri reflektohet me shumë vonesë. Natyrisht që kur nafta rritet në çmimet ndërkombëtare këtu reflektohet më shpejtë dhe e kundërta. Situata e momentit ka lidhje me dy arsye, së pari vjen në raport me ngarkesën fiskale që ka nafta, këtë vit pritet një rritje tjetër prej 10 lekësh për litër dhe natyrisht që kjo reflektohet në çmimin e naftës. Nga ana tjetër mendoj se tregu i naftës në vendin tonë nuk është ende një treg plotësisht i lirë, ku kërkesë-oferta të jetë e zhdërvjelltë. Besoj që duke qenë një çmim, ku shpërndarësit kryesorë të naftës në një farë mënyre e kontrollojnë njëri-tjetrin dhe mund ta mbajnë këtë çmim nafte dhe për faktin se në Shqipëri kërkesa është gati konstante, nuk ka shumë luhatje. Në këto raste duhet të jenë agjencitë shtetërore ato që duhet të kujdesen për të kontrolluar çmimi real që shitet në distributorët e naftës me pakicë, nëse ky çmim reflekton realisht çmimin ndërkombëtar apo është një lloj abuzimi apo kontroll i çmimit për të përfituar nga situata. Një arsyetim normal të bën të besosh që nëse në botë do të vazhdojë kjo tendencë do të fillojë të reflektohet edhe këtu ulja e çmimit. Një tjetër arsye është edhe fakti se importuesit dhe shpërndarësit kanë rezerva një deri në dy mujore të importuara që në nga tetori.

Pandi Gjata: A mund të përfitojë apo të humbasë ekonomia shqiptare nga e gjithë kjo që po ndodh në tregun ndërkombëtar të naftës?

Ardian Civici: Ne kemi një raport të përafërt 9 me 1. Do të thosha që rreth 10% të naftës që është në Shqipëri eksportohet dhe pjesa më e madhe importohet. Nëse do të kishim eksporte të mëdha të naftës, natyrisht që rënia e çmimit do të ndikonte negativisht, por për deri sa jemi një vend tipik importues dhe shumë i varur nga tregjet ndërkombëtare, tani mund të themi se është një situatë pozitive sepse importojmë pjesën më të madhe të naftës që përdorim me një çmim gjithnjë e më të lirë. Ajo që mund të krijojë një element negativ është fakti që dollari është me një trend rritës në Shqipëri dhe çmimi i naftës kuotohet në dollarë, çdo rritje e dollarit amortizon uljen e çmimit të naftës. 
 

Top Channel